4 vjet e gjysmë burgim për shtetasin e Shqipërisë kreu disa vjedhje në shtëpi të mërgimtarëve në Gjakovë
Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj shtetasit të Shqipërisë, R.M., për vjedhje të rëndë. Ai është dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.
I pandehuri akuzohet se gjatë periudhës 6–15 korrik 2025, në disa fshatra të Komunës së Gjakovës, ka kryer një sërë veprash penale të natyrës së vjedhjeve, kryesisht në shtëpi të personave që jetojnë jashtë vendit. Fillimisht, ai ka tentuar të kryejë një vjedhje të zakonshme të mbetur në tentativë në fshatin Orize, pastaj në vazhdimësi ka kryer disa veprime të vjedhjes së rëndë duke depërtuar me forcë në nëntë (9) shtëpi të ndryshme me qëllim përvetësimi të kundërligjshëm të dobisë pasurore në fshatrat Ramoc, Dallashja, Sheremet, Meje, Osek Hilë, por pa arritur të marrë asgjë, duke konsumuar kështu veprën penale të vjedhjes së rëndë në vazhdimësi, e mbetur në tentativë, sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Në fund, më 15.07.2025, në fshatin Osek Hilë, një nga rastet, i pandehuri ka arritur të marrë para dhe një orë dore nga një shtëpi tjetër, duke kryer kështu veprën penale të vjedhjes së rëndë.
“Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.”

