75 Mall Live Search
14:25 / E Hënë, 21 Mars 2022 / k.v

40 ditë arrest shtëpiak për turkun e arrestuar në Prishtinë, e kërkon Interpoli për mashtrim

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm Penal, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit për shtetasin turk T.O, i kërkuar nga autoritetet moldave për shkak të veprës penale Mashtrimi Komercial, e cila vepër është e paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, si Mashtrimi i konsumatorëve nga neni 292.

IndeksOnline ka raportuar ekskluzivisht për arrestimin e tij të premten në mesditë.

Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit T.O e ka refuzuar si të pabazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 40 ditëve nga momenti i ndalimit.

Masa e arrestit shtëpiak caktohet në bazë të nenit 21, 22 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Ligjit nr. 04/l-213 për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në çështjet penale dhe nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1 të KPPK-së. Ankesa nuk e shtynë ekzekutimin e këtij Aktvendimi./IndeksOnline/