18:04 / E Mërkurë, 21 Tetor 2020 / Blerim

40% e punëtorëve shëndetësorë të infektuar me Covid, janë pa simptoma

Analiza e prezantuar rishtas tregon se rreth 40% e punëtorëve shëndetësorë që kanë qenë të konfirmuar me infeksionin me koronavirusin e ri (SARS-CoV-2) nuk kanë treguar simptoma objektive, gjë që e shton rrezikun për bartje të qetë të infeksionit në institucionet shëndetësore.

Analizimi i të dhënave të 230 mijë punëtorëve shëndetësorë (mjekë, infermierë dhe të tjerë) në 24 shtete të ndryshme ka treguar se rreth gjysma e të infektuarve kanë qenë infermierë, kurse rreth 25% mjekë. Rreth 43% kanë punuar në shërbimet e rregullta jo-Covid, jokirurgjikal, 24% në sallat operatore, 16% në emergjencë dhe 9% në njësitë e kujdesit intensiv.

Një në 20 (5%) të infektuar ka treguar shenja të rënda klinike, kurse një në 200 (0.5%) punëtorë ka vdekur. Por brengosëse është informata se pothuajse gjysma e kanë kaluar sëmundjen pa simptoma. Nënkupton që kanë punuar dhe se kësisoj rreziku i bartjes te kolegët dhe pacientët ka qenë i lartë.