75 Mall Live Search
11:31 / E Mërkurë, 11 Gusht 2021 / OSH

42 të vdekur nga zjarret në Algjeri, prej tyre 25 ushtarë

Të paktën 42 persona kanë vdekur nga zjarret që kanë shkatërruar pyjet dhe fshatrat në lindje të kryeqytetit të Algjerisë, saktësisht në rajonin Kabyle.

Nga të vdekurit janë edhe 25 ushtarë të cilët nuk i mbijetuan flakëve gjatë kohës sa ishin duke shpëtuar banorët vendas, shkruan Aljaezeera, përcjell Klankosova.tv.

Presidenti algjerian, Abdelmadjid Tebboune shkroi në Twitter se ushtarët që vdiqën duke shpëtuar 100 njerëz nga zjarret në dy zona të rajonit Kabyle janë “martirë.

Rajoni malor Kabyle, 100 km në lindje të kryeqytetit Algjer, është i mbushur me fshatra që janë në kushte të vështira per jetesë dhe me rritje të temperaturave banorët atje janë përballur edhe me probleme të mungesës së ujit. Ndërsa ky rajon nuk pati as ndihmesë të hedhjes së bombave me ujë për shuarje të zjarreve.

Kryeministri Aymen Benabderrahmane tha se raportet fillestare nga shërbimet e sigurisë kanë treguar se zjarret në Kabyle ishin “shumë të sinkronizuara”, duke shtuar se kjo “bën që dikush të besojë se këto ishin akte kriminale të kryera nga dikush”.

Edhe ministri i brendshëm Kamel Beldjoud tha se zjarret mund të kenë qenë të qëllimshme.

“30 zjarre në të njëjtën kohë në të njëjtin rajon nuk mund të jenë rastësisht,” tha Beldjoud.