13:38 / E Premte, 30 Nëntor 2018 / indeksADMonline

47 persona kanë vdekur në Kosovë nga HIV/AIDS, aktualisht janë të prekur 36 pacientë

Me rastin e Ditës Botërore të HIV/AIDS-it, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka diskutuar për shkaqet, trajtimin dhe rastet e kësaj sëmundje epidemike në Kosovë si dhe mundësitë e parandalimit të kësaj epidemie.

Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, ka thënë se bota është e përkushtuar për ti dhënë fund epidemisë së HIV/AIDS-it deri në vitin 2030.

“Ky objektiv ambicioz për ta parandaluar këtë epidemik deri në vitin 2030 është i habitshëm dhe përfaqëson një mundësi të madhe për të ndryshuar rrjedhën e historisë përgjithmonë, diçka që brezi ynë duhet të bëjë për brezat që vijnë”, tha Ramadani.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Ali Berisha, ka thënë se diskutimet janë të nevojshme për këtë sëmundje ngase ajo mund të parandalohet. Ai ka thënë se që nga viti 1986 kur është shënuar rasti i parë në Kosovë e deri më tani ka pasur gjithsej 119 raste, ku prej kësaj sëmundje kanë vdekur 47 persona.

“Dita Botërore e HIV AIDS-it është një mundësi e mirë për të gjithë njerëzit për të kuptuar rëndësinë e parandalimit të kësaj sëmundje dhe për ti mbështetur të prekurit nga kjo sëmundje. Kosova konsiderohet si një vend me prevalencë të ulët të kësaj sëmundje. Fakti se prej vitit 1986 kur është shënuar rasti i parë, Kosova ka pasur 119 raste , me 47 të vdekur dhe momentalisht ka 36 pacientë nën mbikëqyrje. Prioritet i ynë duhet të jenë parandalimi i këtyre rasteve”, tha Berisha,

Në botë deri në fund të 2017-ës janë sënuar gjithsej 37 milionë raste me HIV-AIDS, ku prej tyre 35 milionë janë të rritur ndërkaq 1.8 milionë janë fëmijë nën 15 vjeç.