49 pacientë me Covid-19 në Spitalin e Pejës, gjatë vikendit morën trajtim shëndetësorë 587 persona

Aktualisht në Spitalin e Pejës janë duke u trajtuar 49 pacientë të prekur me Covid-19.
Dy prej tyre janë në respiratorë, 34 pacientë janë në oksigjenoterapi dhe nga këta 12 pacientë janë në gjendje më të rëndë.
“2 pacientë janë shëruar gjatë 24-orëve të fundit nga Covidi-19 në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë. Aktualisht po trajtohen 49 pacientë me Covid-19. Sa i përket gjendjes së pacientëve, 2 janë në respiratorë, 34 pacientë janë në oksigjenoterapi dhe nga këta 12 pacientë janë në gjendje më të rëndë. Nga personeli i spitalit, aktualisht janë të infektuar 2 mjekë, 4 infermierë dhe 3 punëtorë shërbimeve teknike”, thuhet në njoftimin e Spitalit të Pejës.
Gjithashtu u bë e ditur se gjatë vikendit që lamë pas në këtë spital trajtim shëndetësor kanë marrë 587 pacientë.
“49 pacientë janë shtrirë për trajtim të mëtutjeshëm. 10 lindje kanë qenë gjatë vikendit të fundit në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, 4 normale dhe 6 me prerje cezariane. Kanë lindur 10 foshnja 5 të gjinisë mashkullore dhe 5 të gjinisë femërore. 378 pacientë kanë kryer analiza, që në total kanë bërë 4,216 sosh, ndërsa janë kryer 15 operacione. Gjatë 24-orëve të fundit janë kryer 98 shërbime radiologjike”./Indeksonline/