75 Mall Live Search
20:36 / E Martë, 09 Mars 2021 / OSH

5 ditë pa filluar Kuvendi i LDK-së, përfaqësuesit në diasporë ende pa ftesa

Të dielën, më 14 mars, do të mbahen zgjedhjet e brendshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për të përzgjedhur kryetarin e ri, pas dorëheqjes së kryetarit Isa Mustafa.

Mirëpo, ndonëse kanë mbetur vetëm pesë ditë deri në ditën e zgjedhjes, IndeksOnline mëson nga burimet se delegatët e LDK-së që janë në diasporë dhe brenda Kosovës, ende nuk janë ftuar që të marrin pjesë në Kuvendin Zgjedhor të LDK.

Kështu ka pohuar për IndeksOnline edhe Bahtir Kastrati, kryetar i Degës së LDK-së për Beneluks.

Ai shkurt për IndeksOnline tha se akoma nuk ka marrë ftesë për 14 mars.

“Akoma s’kemi marrë ftesë, normal jemi të ftuar të gjithë delegatët e Kuvendit”, tha Kastrati.

Të njejtën gjë e pohoi për IndeksOnline edhe Qibrije Hoxha, kryetare e degës së LDK-së në Suedi.

” Jo nuk kam marrë asnjë ftesë.Por unë jam delegate nga Dega dhe besoj se shpejt i marrim ftesat”, tha ajo.

IndeksOnline ka tentuar të marrë një deklaratë nga sekretari i LDK-së, Arban Abrashi, por nuk ka qenë i qasshëm.

Deri më tani, kandidaturën zyrtarisht për të marrë kreun e LDK-së e kanë paraqitur Anton Quni, Lutfi Haziri dhe Lumir Abdixhiku./IndeksOnline/