16:05 / E Hënë, 08 Prill 2019 / indeksADMonline

5 metra i gjatë dhe 73 vezë, shkencëtarët nuk u besojnë syve pas kapjes së super gjarprit

Një piton femër 5 metra i gjatë, brenda së cilit kishte 73 vezë u kap në Everglades të Floridas dhe besohet se është gjarpri më i madh i kapur ndonjëherë më parë në një rezervë natyrore.

Zyrtarë të kafshëve të egra, të cilët synojnë të zhdukin pitonin burmez nga habitatet e egra, e zbuluan gjarprin duke përdorur një pajisje të re për gjetjen e vendndodhjes së tij, e bazuar në ligjet e tërheqjes.

Pitonët meshkujt janë të pajisur me transmetues radiosh, duke i lejuar shkencëtarët që të gjurmojnë meshkujt teksa shkojnë drejt femrave për t’u çiftëzuar.

Sipas asaj që shkruan e përditshmja “The Independent”, pitonët burmezë të kapur në Florida zakonisht janë 2-3 metra të gjatë. Në vendlindjen e tyre, këto gjarpërinj zakonisht shkojnë deri në 6 metra të gjatë.

Zyrtarët thanë se përdorimi i transmetuesve të radiove ishte pjesë e një përpjekjeje të gjerë për të zhdukur këtë specie, e cila nuk është autoktone në Floridan Jugore.

Pitoni burmez gjendet në Azi dhe erdhi në tokat moçalore të Floridas Jugore, pasi njerëzit lëshuan pitonët këlyshë nëpër pyje. Ky lloj gjarpri u dallua për herë të parë në Everglades në vitin 1980 dhe popullsia e tyre u rrit pas uraganit Andrew, në vitin 1992. /Indeksonline/