5 mijë euro gjobë ndaj të akuzuarit për mashtrim me subvencione

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 6 muaj burgim të akuzuarin Fuat Morina për vepën penale “Mashtrimi me subvencione”, dënim i cili me pëlqimin e tij do t’i zëvendësohet me gjobë në shumën prej 5 mijë euro.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Morina u shpall të enjten nga gjykatësi Kujtim Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndryshe, i akuzuari Morina e ka pranuar fajësinë në seancën e mbajtur më 1 qershor 2022, ndërsa 13 të akuzuarit tjerë Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Salih Kelmendi, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj, u deklaruan të pafajshëm.
Në seancën e 13 prillit, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë për 7 nga 21 të akuzuarit në rastin “Subvencionet 1”.
Ndërsa, më 19 prill 2022 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”, Alban Bushati, Kastriot Berisha, Bekim Shala, Flamur Zeqiri, Habibe Dauti, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi, duke i dënuar me 6 vite e 1 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.