5 milionë € për çerdhet – Nagavci prioritet rikualifikimin e stafit e përfshirja në edukimin e hershëm

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Invacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, ka treguar të arriturat, sukseset por edhe ngecjet e kësaj ministrie.
Për nëntë muaj në ulësen e ministres së Arsimit, Nagavci thotë se është karakterizuar me sfida të mëdha si shkak i pandemisë Covid-19, ndërkaq shprehet e lumtur që ky mësimi ka filluar me pjesëmarrje fizike si shkak i vaksinimit të mësimdhënësve.
Nagavci ka treguar edhe për planet për vitin 2022, si rivlerësimin e mësimdhënësve, ndërtimin e çerdheve si dhe shumë projekte të tjera të kësaj fushe.
“Situata me pandeminë ka qenë sfida dhe më e madhja me të cilën jemi ballafaquar. Kemi filluar punën në kohën e pandemisë, me zhvillimin e mësimit në skenarë të ndryshëm, ku pjesa më e madhe është zhvilluar në distancë apo me mësimin online. Kam qenë e kënaqur që në fillim të këtij viti shkollor e filluar mësimin me pjesëmarrje fizike dhe kjo ndodhi për shkak se numri i mësimdhënësve iu përgjigjen thirrjes për t’u vaksinuar me të dy dozat, dhe se po ashtu u angazhuan që shkollat të jenë ambiente të sigurta për fëmijët”, tha Nagavci.
“Tani apeli jonë ka qenë në linje me kërkesat e IKSHPK-së dhe të profesionistëve shëndetësor. Është mirë që e stabilizuam situatën me pandeminë dhe gjendjen nëpër shkolla e kemi e mirë. Natyrisht sfidat me të cilat jemi ballafaquar janë të shumta përtej kësaj që ishte më emergjente siç është situata me pandeminë. Na pret një punë e madhe për të përmirësuar rezultatet në arsim dhe cilësinë në të gjitha nivelet, dhe për këtë duhet që pos që të punojmë me përkushtim dhe me një angazhim maksimal në ministri, natyrisht një bashkëpunim në të gjitha nivelet. Sa i përket çështjes së vaksinimit edhe për moshat tjera, apeli dhe ftesa ime është që të respektohen rekomandimet e profesionistëve shëndetësor”, u shpreh Nagavci.
Sfidë tjetër e Ministrisë së Arsimit mbetet përfshirja në edukimin e hershëm, kryesisht në moshave 3 deri në 5 vjeç.
Teksa ka folur për këtë çështje, ministrja Nagavci ka thënë se në buxhet është paraparë ndërtimi i disa çerdheve me një buxhet prej 5 milionë euro.
Problematikë në këtë drejtim do të jetë identifikimi i hapësirave publike për ndërtimin e çerdheve të reja, raporton Ekonomia Online.
“Po përfshirja e fëmijëve në edukimin e hershëm mbetet e vogël në Kosovë, kryesisht në moshën 3-5 vjeç, ndërkaq kemi një përfshirje më të madhe të fëmijëve në edukimin parafillor, gjegjësisht mosha 5,6 vjeç, dhe në këtë linjë jemi duke punuar në disa drejtime: E para jam e lumtur që në buxhetin e vitit 2022, është ndarë mjaftueshëm për ndërtimin e objekteve të reja por edhe funksionalizimin e objekteve ekzistuese, pra aty ku ka nevojë që mund të riorganizohen objektet publike për t’i shndërruar në çerdhe natyrisht sipas standardeve që kërkohen për këtë moshë të fëmijëve. 5 milionë euro është shuma që është ndarë në buxhet”.
“Sfidë në këtë drejtim mbetet identifikimi i hapësirave publike, gjegjësisht i territoreve për ndërtimin e çerdheve të reja, sepse ka komuna, siç është Prishtina ku nevoja për të pasur çerdhe të reja janë të mëdha, për shkak të numrit të madh fëmijëve të cilët duhet të vijojnë edukimin e hershëm, por në anën tjetër Komuna e Prishtinës ka vështirësi në identifikimin e pronave ku mund të ndërtohen këto çerdhe”.
Ndër planet e këtij dikasteri është edhe rikualifikimi i stafit ekzistues, pasi sipas Nagavcit numri i punëtorëve në arsim është pothuajse i plotësuar.
Nagavci thotë se riorganizimi i shkollave do të ndodh për shkak të disbalancave ndërmjet numrit të madh të mësimdhënësve dhe të nxënësve, ky numri i këtyre të fundit po zvogëlohet.
“Kemi parë raste edhe në të kaluarën me të cilat edhe unë jam ballafaquar që ka pasur institucione të cilat janë funksionalizuara si të tilla por që kanë pasur vështirësi në punësimin e stafit të ri, për shkak se numri i punëtorëve në shërbimin publik është pothuajse i plotësuar. Në këtë linjë një gjë që planifikojmë ta bëjmë është edhe rikualifikimi i stafit ekzistues, pra disbalanca që ekzistojnë në mes kuadrit mësimor i cili veçse është i punësuar tashmë dhe zvogëlimit të nxënësve. Në këtë situatë të shohim mundësitë për rikualifikim të mësimdhënësve në mënyrë që ata mund të punojnë në profile, në këtë rast si edukator apo në pozita tjera në edukimin e hershëm”.
“Tani një punë që na pret në vitin 2022 e që e kemi si prioritet është edhe çështja e riorganizimit të rrjetit të shkollave sepse ka një disbalanc nga komuna në komunë por edhe brenda komunës në rajone të ndryshme. Pra kemi shkolla me një numër të madh nxënëseve, në anën tjetër kemi shkolla të cilat kanë një numër shumë të vogël të nxënësve dhe në total numri i mësimdhënësve në raport me numrin e nxënësve sipas formulës aktuale të financimit është se i kemi pasur më shumë se 1 mijë mësimdhënës të cilët mund të konsideroheshin si tepricë teknologjike”, thotë ajo.
Për rikualifikimin e mësimdhënësve, Nagavci ka thënë se do të ketë gjithë përfshirje nga gjitha palët, si përfaqësuesit e drejtorive komunale, përfaqësues të mësimdhënësve, të prindërve e kështu më radhë.