75 Mall Live Search
15:21 / E Martë, 06 Janar 2026 / H F

5 muaj pas vrasjes në Gjilan: Heshtje në hetime, Mefail Shkodra me dy djemtë e tij ende në arrati

Kanë kaluar gati pesë muaj që nga vrasja e trefishtë që tronditi Gjilanin, e cila ndodhi në mes të ditës, në qendër të qytetit, dhe për të cilën ende nuk ka asnjë zhvillim konkret në hetime, shkruan IndeksOnline.

Nga të shtënat me armë zjarri mbetën të vrarë tre persona, ndërsa një tjetër u plagos. Si të dyshuar kryesorë për këtë ngjarje të rëndë janë Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij, Edonis dhe Engjull Shkodra, të cilët që nga dita e krimit janë në arrati dhe të pakapshëm për organet e rendit.

Rasti po hetohet nga Drejtoria e Krimeve të Rënda në Prishtinë. Nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se po punohet intensivisht për kapjen e të dyshuarve, por pa dhënë detaje se deri ku kanë arritur hetimet.

Ndërkohë, Prokuroria poashtu pati të ditur se janë ndërmarrë hapa për bashkëpunim ndërkombëtar dhe se janë njoftuar të gjitha pikat kufitare, megjithatë nuk është bërë e ditur nëse ka ndonjë përparim konkret.

Viktima të kësaj vrasjeje të trefishtë ishin Selami dhe Edmond Hasani, babë e bir dhe argjendarë të njohur në Gjilan, si dhe Abedin Hoxha. Sipas dyshimeve fillestare, motivi i krimit lidhet me fajde.