75 Mall Live Search
13:27 / E Martë, 25 Mars 2025 / S Z

5 raste me fruth gjatë këtij viti në Kosovë, IKSHPK: Është sëmundje serioze, vaksinohuni!

Gjatë këtij viti janë regjistruar 5 raste të fruthit në Kosovë. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), vaksinimi kundër fruthit arrin një përqindje mbi 90 për qind.

Në një përgjigje të IKSHPK-së për Indeksonlinen, thuhet se deri tani vaksinimi me dozën e parë është 89%, ndërsa me dozën e dytë 94%.

IKSHPK-ja thotë se thirrja e këtij institucioni për vaksinim ka pasur efekt. Ndërkaq vazhdon t’u bëjë thirrje prindërve, që t’i vaksinojnë fëmijët me vaksinën MMR, sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit.

“IKSHPK-ja u bën thirrje prindërve në vazhdimësi, që t’i vaksinojnë fëmijët sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit, sepse fruthi është sëmundje infektive serioze dhe shumë më ngjitëse se gripi dhe mund të shfaqë komplikime serioze. Vaksinimi është mënyra më efikase për ta parandaluar”, thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së.

Ndryshe, vaksinimi kundër fruthit bëhet me vaksinën MMR (Fruth, Shtyta, Rubeollë) dhe jepen dy doza. Doza e parë në moshën 12 muajshe dhe doza e dytë ne moshen 4-6 vjecare. /Indeksonline/