5 vjet burg për shqiptarin që transportonte drogë në Kosovë, përmes rrugëve malore
Departamenti për Krime të Rënda në Gjykatën e Gjakovëska shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit E.Ç., shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili u akuzua për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Trupi gjykues, i kryesuar nga kryetari Sulltan Dobraj, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, shpalli aktgjykimin me të cilin i pandehuri u shpall fajtor dhe ndaj tij u shqiptua dënim me burgim në kohëzgjatje prej 5 vjetësh, si dhe dënim me gjobë në shumën prej 2000 euro.
Në njoftimin zyrtar të Gjykatës thuhet:
“I pandehuri akuzohet se nga data e pacaktuar e deri më datë 30 qershor 2023, duke i koordinuar veprimet me të pandehurin J.B., e transporton narkotikun nga Shqipëria në Kosovë përmes rrugëve malore, ndërsa e njëjta substancë deponohet në shtëpinë e të pandehurit J.B., për ta lehtësuar transportin, pasi shtëpia e tij është e fundit në fshatin Devë, në brezin kufitar me Shqipërinë, nga ku mund të kalohet lehtë në territorin e Shqipërisë në këmbë për rreth 40 minuta. I pandehuri E.Ç., i gjen dhe kontakton blerësit e mundshëm të narkotikëve dhe, përmes numrit të tij të telefonit +355…, komunikon me të pandehurin J.B., për t’u siguruar nëse ai ndodhet në shtëpi, pasi blerësi do të vijë për të marrë substancën narkotike. Më pas, ai e udhëzon të pandehurin J.B., që t’i marrë blerësit në vendet e caktuara dhe t’i dërgojë në shtëpinë e tij, si dhe e udhëzon për sasinë e substancës narkotike që duhet t’ua japë blerësve, duke iu referuar me termat “i pardjeshmi” dhe “i sotmi”. Gjatë kontrollit të kryer pas shtëpisë së të pandehurit J.B., janë gjetur dy çanta me substancë narkotike të llojit Kanabis (Marihuanë), me peshë të përgjithshme 32 kg e 092 gramë”.
Palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve, nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

