10:46 / E Hënë, 03 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

510 operacione më shumë në Klinikën e Ortopedisë në QKUK

Klinika e Ortopedisë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka rritur dukshëm vëllimin e punës. Në 11 muajt e vitit 2017, ishin kryer 1662 operacione, përderisa këtë vit në të njëjtën periudhë, janë kryer 2172 operacione, pra 510 më shumë.

Sipas një komunikate për media thuhet se rritja e numrit të operacioneve është bërë falë angazhimit të stafit të ortopedëve, anesteziologëve dhe stafit tjetër shëndetësorë, pas vendimit të menaxhmentit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), i cili ka  caktuar ekip të anestezionit që është përgjegjës për anestezion për kujdestaritë e Klinikës se Ortopedisë.

Poashtu, është rritur numri i operacioneve  tek rastet e protezave dhe ligamenteve, pasi është shkarkuar programi operator i ditës së rregullt.

“Me hapjen dhe funksionalizimin e ambulancave të reja specialistike, ka  përmirësim të kushteve të punës, është rritur edhe numri i shërbimeve ambulantore.Shtimi i vëllimit të punës ka bërë që të rritet edhe numri i rateve të operacioneve të protezave totale të kërdhokullës së gjurit dhe dhe ligamentoplastikës,  për 52 raste më tepër, falë furnizimit të rregullt me implante nga Ministria e Shëndetësisë”, thuhet tutje në komunikatën për media.

Në ambulanca specialisitke të ortopedisë në 11 muajt e parë 2017, kishte gjithsej 15470  shërbime, kurse ne vitin 2018  janë kryer 25372 sherbime, 9902 më tepër./Indeksonline/