Kthimi në formë pas ngrënieve të shumta pas festave mund të jetë i rrezikshëm nëse bërja e ushtrimeve fizike improvizohet dhe sidomos nëse humbja e kileve bëhet me nxitim. Ekspertët shpjegojnë psenë…
Refreni është gjithnjë i njëjtë: pas festave të gjithë luftojnë kilet e tepërta, të marra prej drekave e darkave të bollshme. Mënyrat me të cilat çdokush kërkon të humbas peshë janë nga më të ndryshmet, por shumë i kthehen palestrës si një vend ideal për t’u dobësuar! Deri këtu, nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi. Gjithsesi nxitimi për të humbur peshë dhe metoda vetjake shpesh mund të shkaktojnë më shumë dëme sesa dobi. Pikërisht për këtë flet profesor Joshua Harris, ortopedi i Departamentit të Ortopedisë dhe Mjekësisë së sportit të “Houston Methodist”.
Sipas ekspertit, vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çdo vit verifikohen të paktën 500 mijë të pafat në lidhje me ushtrimet fizike dhe një nga arsyet është pikërisht nxitimi për të humbur sa më parë peshë, e shoqëruar nga një mungesë e njohurive të duhura teknike. Këto situata sjellin tendosje të trupit duke shkaktuar dëmtim të muskujve, tendinave, nyjave dhe eshtrave.
Dëmtimet ndodhin gradualisht dhe ato shpesh janë të vështira për t’u diagnostikuar. Dr. Harris thekson rëndësinë që ju duhet të dini të respektoni kufijtë e trupit tuaj, duke filluar për shembull me një program stërvitjeje që u lejon të ndërtoni ngadalë forcën dhe durimin. Ideale është që të filloni me një stërvitje të lehtë dhe më pas me një intensitet të moderuar, tri herë në javë, me qëllim që të praktikoni ushtrime në rend, me përdorim të peshave të lehta që përfshijnë grupe të mëdha të muskujve, duke përfshirë shpatullat, legenin etj. Më pas gjëja më e rëndësishme është pikërisht teknika, sepse nëse nuk dini se si mund të përdorni në mënyrën e duhur peshat dhe pajisjet ju mund të rrezikoheni nga lëndime të pakëndshme.
Ekspertët theksojnë se pjesa më e madhe e lëndimeve të gjymtyrëve e sidomos të atyre të sipërmeve verifikohen në mesin e muajit janar. Për shembull, kur ngrihen pesha, dora duhet të mbahet drejt dhe jo të lirohet apo të jetë e paqëndrueshme, sepse lëvizjet që bëhen me pajisjet e ushtrimeve fizike rrisin rrezikun e ndrydhjeve apo të dëmtimeve të tjera pak a shumë serioze, parashtron dr. Shari Liberman, një koleg i Harris nga Houston Methodist. Metoda më e mirë, sipas të dy specialistëve është ajo e rutinës graduale që parashikon një trajnim progresiv me rotacion për të favorizuar trajtimin e formës së përgjithshme fizike dhe për të parandaluar dëmtimet që vijnë nga përdorimi i shpejtë dhe i shpeshtë i peshave dhe i pajisjeve të tjera. Një tjetër masë paraprake e rëndësishme është ngrohja përpara ushtrimeve dhe shtrirja (tendosja) pas tyre: në këtë mënyrë rritet fleksibiliteti dhe shmangen lëndimet. Pra me pak fjalë, mos e kini me nxitim për të ndjekur një program progresiv për të pasur rezultate konkrete drastike që do t’ju çojnë medoemos në urgjencë.
Rëndësia e konsumimit të frutave dhe perimeve pas festave
Është e nevojshme që ta pastrojmë veten nga ngrëniet e tepërta të fundvitit. Dieta që duhet ta ndjekim nuk do të jetë vetëm për t’u dobësuar, por edhe t’i ulim kaloritë dhe yndyrat, duke u ushqyer me fruta dhe perime: uji, fibra, vitamina e minerale, janë po ashtu të nevojshme. Duhet ta fillojmë vitin 2014 me vendosmëri, edhe në rastin e formës fizike. Në tavolinat tona nuk duhet të mungojnë mbi të gjitha portokajtë, të pasur me vitamina C, që e përforcojnë sistemin imunitar dhe që ndihmojnë t’i mbajmë larg sëmundjet. Më pas dardhat, të njohura për efektin e tyre laksativ, të pasura me ujë dhe me fruktoza, ideale për ata që e duan shijen e ëmbël. Por, mos ta harrojmë as kivin, i rëndësishëm sepse përmban vitaminë C, fosfor dhe kalium, duke e përmirësuar lëvizshmërinë e zorrëve. Ndërkohë, perimet duhet të jenë gjithmonë të freskëta.
Duke filluar nga spinaqi, që kontribuon në thithjen e duhur të hekurit. Të çmueshme janë edhe sallatat, që e heq apetitin tuaj me pak kalori. Karotat janë të pasura me vitamina A, të vlefshme për shëndetin e syve dhe lëkurës. Kopra quhen perimet e tjera që bëjnë detoksifikimin dhe ndihmojnë tretjen e ushqimit. Gjithashtu, edhe lulelakra i ka dobitë e veta, pasi është vërtetuar se është një thesar i mineraleve dhe vitaminave. Ne duhet të mundohemi t’i kombinojmë këto perime me oriz të zier, mish të bardhë dhe në përgjithësi me ushqim sa më të thjeshtë të jetë e mundur. Gjithashtu, preferohen edhe supat, veçanërisht bishtajore, që e rrisin lëvizshmërinë e zorrëve dhe sigurojnë energji të nevojshme për ta luftuar të ftohtin.