12:05 / E Enjte, 26 Mars 2020 / indeksADMonline

55 kosovarë kthehen nesër nga Zvicra, nga aeroporti drejt në karantinë

55 qytetarë të Kosovës të cilët gjendeshin në Zvicër, do të kthehen nesër në Kosovë.

Kjo është konfirmuar për Indeksonline nga ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku.

Të gjithë këta 55 kosovarë menjëherë pas arritjes në Aeroportin e Prishtinës ‘Adem Jashari’ do të nisen për në Qendrën Studentore, për të qëndruar në karantinë.

“Po, nesër kthehen 55 qytetarë nga Zvicra dhe do të vendosen në karantinë”, tha Abdixhiku.

I pyetur nëse ditëve në vazhdim do të ketë kosovarë që do të kthehen nga vendet e tjera, Abdihxiku tha varësisht nga vendet në dispozicion në karantinë do të bëhet edhe kthimi i qytetarëve të tjerë.

“Varësisht nga vendet në dispozicion në karantinë do të sjellim edhe qytetarët e tjerë”, shtoi ai.

E kontaktuar nga Indeksonline, zëdhënësja e Aeroportit të Prishtinës, Valentina Gara tha se kosovarët që do të kthehen nesër do të vijnë nga aeroporti i Cyrihut, në ora 09:00 dhe fluturimi bëhet me kompaninë ‘Air Prishtina’.

Ndryshe ditë më parë ministri Abdixhiku pati deklaruar se kthimi i qytetarëve të evidentuar nga ambasadat e Kosovës nëpër vendet e huaja do të bëhet në mënyrë të kujdesshme, të organizuar e pa rrezik për qytetarët këtu.

Numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë është 71, ku tetë rastet e fundit u konfirmuan mbrëmë nga Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike në Kosovë.

Rastet e fundit të cilat u konfirmuan pozitiv me COVID-19 janë raste kontakti prej të cilëve 4 janë me vendbanim në fshatin Domanek-Malishevë, tri raste me vendbanim në Prishtinë dhe një rast me vendbanim në fshatin Studime e Ulët-Vushtrri./Indeksonline/