14:59 / E Enjte, 19 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

56 fermerë mitrovicas përfitojnë mekanizëm bujqësor, nga komuna

Komuna e Mitrovicës vazhdon realizimin e projekteve të ndryshme në sektorin e bujqësisë, me ç’rast kryetari i komunës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga nënkryetari Faruk Mujka dhe drejtori i Bujqësisë, Ekrem Sadiku, kanë nënshkruar kontratat me 56 fermerë përfitues të mekanizmit bujqësor.

Me këtë rast kryetari Bahtiri tha se është i lumtur që komuna është në gjendje që ta ndihmojë sektorin e bujqësisë, përkatësisht fermerët e komunës përmes projekteve të ndryshme.

“Fakti se sot po i nënshkruajmë kontratat me 56 fermerë të komunës, tregon për përkushtimin tim që të mbështesë sektorin e bujqësisë, në veçanti fermerët. Ne nuk do të ndalemi vetëm me kaq. Por do të vazhdojmë edhe me realizimin e projekteve të tjera, duke siguruar subvencione nga buxheti i komunës, apo edhe nga donatorë të ndryshëm”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.

Ndërkaq, drejtori i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ekrem Sadiku, theksoi se nga ky projekt janë zgjedhur përfituesit, të cilët i kanë plotësuar kërkesat e parapara nga DBZHR-ja.

Përmes këtij projekti 10 fermerë kanë përfituar Rotofreza 2.0 m gjerësi, 38 fermerë, mbledhëse bari në formë dielli dhe 8 fermerë spërkatëse për grurë në sasi prej 500 litrash.
Ky projekt ka kushtusar rreth 24 mijë euro, ku komuna ka participuar me 70% ndërsa fermeri 30%.