56 raste aktive me koronavirusin, në Fushë-Kosovë

Komuna e Fushë- Kosovës deri tani ka reagjistruar 62 raste me Covid-19. Nga ky numër gjithsej tetë persona janë shëruar. Pra, në këtë komunë janë 56 raste aktive.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Komunës së Fushë- Kosovës, Ali Topalli.
“Më shumë raste ka brenda në qytet dhe në fshatin Miradi e Epërme. Rastet janë të izoluara dhe në trajtim në shtëpi. Ato vizitohen nga stafi i Qendres së Mjekësisë Familjare në Fushë- Kosovë. Gjendja e tyre është stabile dhe nuk ka ndonjë nga ata që e kanë gjendjen apo shfaqin simptoma që ua përkeqësojnë gjendjen”, tha ai.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të mërkurën, ka regjistruar 77 raste të reja me koronaviursin, në Kosovë.
Kjo është shifër më e ulët krahasuar me një ditë më parë, kur Kosova regjistroi numër rekord të të infektuarve me koronavirus brenda një dite, përkatësisht 141 raste.
Sipas njoftimit të IKSHPK-së, më së shumti raste të reja me sëmundjen Covid-19, që e shkakton koronavirusi, gjatë të mërkurës janë regjistruar në Komunën e Prishtinës, përkatësisht 21.
Gjatë 24- orëve të fundit, sipas njoftimit, nuk është shëruar asnjë person, andaj numri i të shëruarve nga sëmundja Covid-19 vazhdon të mbetet 968.
Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirusin më 13 mars, e deri tashti, janë regjistruar 1.833 raste, prej tyre, 34 pacientë kanë vdekur.