58 mijë viktima që nga nisja e luftës, Merz kritikon Izraelin: Qasja ndaj Gazës është e “papranueshme”

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka kritikuar ashpër Izraelin, duke thënë se mënyra si po vepron në Rripin e Gazës “nuk është më e pranueshme”.
Gjatë një konference të zakonshme verore për shtyp, DW raporton se Merz ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në enklavën e shkatërruar nga lufta, ku sipas ministrisë së Shëndetësisë në Gaza numri i të vrarëve këtë javë kaloi 58 mijë.
Merz gjithashtu ka kërkuar më shumë ndihmë humanitare për banorët e Gazës, duke kritikuar vendimin e Izraelit për të dëbuar të gjitha programet ndërkombëtare të ndihmës dhe për t’i zëvendësuar me Fondacionin Humanitar të Gazës (GHF), të drejtuar nga SHBA dhe mbështetur nga Izraeli.
Kritikët e kanë cilësuar këtë iniciativë një “kurth cinik për të dëshpëruarit që kërkojnë ushqim”. Raportohet poashtu se Merz ka treguar që ai është në kontakt të rregullt me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ka ofruar rritje të ndihmës gjermane për Gazën.
“Po, Izraeli nuk do të ekzistonte nëse nuk do të mbrohej. Por ne gjithashtu e shohim vuajtjen e popullit palestinez dhe po përpiqemi të ofrojmë sa më shumë ndihmë humanitare,” ka thënë Merz.