75 Mall Live Search
16:37 / E Shtunë, 02 Mars 2019 / indeksADMonline

Ismet Tara thotë se është ftuar nga Specialja si i akuzuar për rast që nuk e di

Ismet Tara, i njohur si komandant ‘Hoxha’ po përcjellët nga qytetarët e Rahovecit para nisjes për në Hagë.

Ai sot do të niset për në Hagë, pasi është ftuar nga prokurorët e Speciales, transmeton Indeksonline.

Siç shihet në këto pamje, shumë qytetarë e bashkëluftetarë kanë dalë për ta përshëndetur e duke i uruar rrugë të mbarë.

Ndërsa, Tara ka thënë se atje po shkon me krenari që ta mbrojë luftën e drejtë të ushtarëve të UÇK-së.

Kurrë ma krenar nuk kam qenë, se do të shkoj të mbrojë nderin dhe luftën e shenjtë në Hagë e ku të duhet. Ju falënderoj shumë, zoti ju shpërbleftë për pjesëmarrjen tuaj dhe ndjenjat për luftën e UCK, luftën e shenjtë, për të gjithë dëshmorët dhe sakrificat që ka bërë ky popull. Mirë u takofshim kur të kthehem”, ka thënë Tara.

Ai ka shtuar se nga Specialja është ftuar si i akuzuar, për rast që nuk e dinë.

“Si i akuzuar për rast që nuk e di, kanë shpikë diçka. I akuzuar, por i pastër si loti dhe krenar që po mbrojë luftën e UÇK-së”, ka shtuar ai.

Ftesa nga Specialja për Tarën ka ardhur më 20 dhjetor të vitit të kaluar./Indeksonline/