75 Mall Live Search
12:39 / E Martë, 15 Dhjetor 2020 / OSH

6 ditë në grevë urie, gati t’i realizohen kërkesat infermierëve

Enlirat Duraku, sekretar i Sindikatës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë, ka hyrë i vetëm në grevë urie prej 6 ditësh, shkruan IndeksOnline.

Gjendja e tij shëndetësore dukshëm është rënduar,  mirëpo megithëkëtë Duraku është i vendosur për të vazhduar grevën, derisa të realizohen kërkesat e infermierëve, e që janë tri dhe kjo: rritja e pagesës së ndërrimit të natës, pagesa e orës shtesë e gjatë vikendit, si edhe pagesa e rrezikshmërisë.

Ai për IndeksOnlinen, ka thënë se ndonëse ndihet shumë i dobët fizikisht, nuk do të dorëzohet, para kërkesave që ka ai dhe kolegët e tij.

“Dhembjet janë të papërshkrueshme, fillimisht sot jam me kateter qendror për shkak të terapisë. Për punën e progresit dhe shërimit jemi në kontakt në vazhdim”, tha ai për IndeksOnlinen.

Ai ka falënderuar ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj, i cili siç ka thënë Duraku, ka shprehur interesim për gjendjen e tij në këto ditë të fundit.

Duraku ka deklaruar se pas një bisede të zhvilluar me ministrin Zemaj, janë dakorduar që nesër në orën 10:30 ta mbajnë një takim tripalësh midis Sindikatës, SHSKUK-së dhe vetë ministrit Zemaj.

“Po unë absolutisht nuk e ndal grevën, përderisa këto kërkesa nuk plotësohet, me gjithë vullnetin e ministrit Zemaj, drejtorit të SHSKUK-së. Falënderoj jashtëzakonisht ministrin Zemaj, i cili kohët e fundit më ka telefonuar, është interesuar për gjendjen time shëndetësore. Jemi dakorduar që nesër prej orës 10: 30 të kemi një takim tripalësh, me ministrin, me Sindikatën e Infermierëve dhe drejtuesit e SHSKUK-së, në mënyrë që kërkesat e infermierëve t’i konkretizojmë”, theksoi Duraku.

Uroj që të ketë lëvizje përpara theksoi Duraku, i cili vlerësoi se në bazë të kontributit situata të marrë epilog pozitiv për infermierët që po kërkojnë rritjen e pagesës së ndërrimit të natës, pagesa e orës shtesë dhe gjatë vikendit, si edhe pagesa e rrezikshmërisë.

“Unë e respektoj punën e ministrit dhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, që kanë nënshkruar 3-4 kontrata të mëdha, ndërsa implikim buxhetor që kërkon këto tri kërkesa, nuk e përbëjnë as gjysmën e shumave të atyre kontratave që ata kanë nënshkruar”, nënvizoi Duraku./IndeksOnline/