75 Mall Live Search
13:03 / E Martë, 17 Nëntor 2020 / V R

6 vite pa Dr. Florin, miku më i afërt i tij e kujton me dhimbje

Si sot 6 vjet më parë u nda tragjikisht nga jeta këngëtari i ndjerë, Dr.Flori. Artisti la pas një dhimbje të thellë te familjarët e të afërmit e tij, të cilët nuk lënë rast pa e kujtuar. Në këtë ditë të trishtë, miku i tij, Landi Hysi, e ka kujtuar Dr.Florin me disa fjalë rrëqethëse.

Landi ka publikuar në Instagram një foto të këngëtarit dhe e ka shoqëruar me një shkrim prekës, për të treguar se vazhdon ende ta ndjejë mungesën e tij.


“Psherëtij. Ti buzëqesh. Nuk psherëtij më. Kohë idiote. Kujtimi yt, mbetet. 17 nëntor 2014. Dr.Flori”, ka shkruar Landi.

Dr.Flori u nda nga jeta në një moshë shumë të re, por ai la pas qindra hite që dëgjohen ende sot e kësaj dite. Së bashku me dy miqtë e tij, Landi Hysin dhe Armir Shahinin, ai krijoi grupin “West Side Family”, i cili ishte një nga më të pëlqyerit nga të rinjtë gjatë viteve 2000-2009.

3 vjet më parë Landi dhe Armiri publikuan këngën “Beso” në nder të Dr.Florit. Ata të dy bënë pjesë të këngës edhe mikun e tyre të ndjerë, sepse një pjesë të saj ai kishte arritur ta regjistronte gjatë kohës që ishte gjallë.

Kujtojmë se Dr.Flori ishte dhe baba i dy fëmijëve, Kaltrinës dhe Danit, që kanë ardhur në jetë nga martesa me bashkëshorten e tij, Blerinën.