23:35 / E Martë, 01 Tetor 2019 / indeksADMonline

60 familje prishtinase, prej 20 vjetësh në hall nga shitësit pa leje të druve

Afro gjashtëdhjetë familje në Prishtinë që nga paslufta kanë një hall të madh. Ata thuajse çdo ditë, veçmas gjatë muajit shtator ballafaqohen me shitësit e druve.

Banorët e tri rrugëve të Lagjes së Medresesë në kryeqytet prej 20 vjetësh detyrohen të mbyllen në shtëpitë e tyre, për shkak se në këtë pjesë shiten dhe shkurtohen drutë e zjarrit.

Kjo tregti jo vetëm që bëhet pa leje, por edhe shkakton zhurmë e pluhur të madh që krijohet nga motosharrat dhe kamionët, duke rrezikuar kështu edhe shëndetin e qytetarëve.

Banorët shqetësimin e tyre e kanë adresuar edhe tek Indeksonline, pasi që sipas tyre deri tashti askush nuk ka marrë ndonjë masë.

 “Jemi në zor të madh me ta, po duhet me ikë prej shtëpive tona me dal me qira. Jemi në presion të madh. Gjendja është shumë shqetësuese, kemi fëmijë të vegjël, pleq e të sëmurë. Gjatë gjithë kohës as dyert e dritaret nuk mund t’i hapim nga tymi dhe zhurma e era e vajrave motorike”, ka thënë një qytetar për Indeksonline.

Sipas tij vetëm në një vend sharrohen 120 -150 kubikë dru gjatë ditës, duke u furnizuar krejt Prishtina me rrethinë./Indeksonline/