17:14 / E Hënë, 22 Prill 2019 / indeksADMonline

61 vjeçari Hasan Krasniqi ishte në proces të divorcit nga gruaja

I dyshuari, Hasan Krasniqi, 61 vjeçar, i cili pasi vrau gruan, 60 vjeç dhe nusen e djalit, 28 vjeçare, ishte në proces të divorcit, përcjellë Indeksonline.

Kështu ka bërë të ditur një familjar i familjes për insajder. Sipas tij, i dyshuari nuk ka pasur probleme mendore.

“Këta janë kanë në gjyq që nuk e di se sa, kanë deshtë me u nda. Me vetëdije”, tha ky familjar. /Indeksonline/

Në anën tjetër kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, ka treguar se në momentin kritik, brenda banesës ka qenë edhe një fëmijë dy vjeçar i cili ka shpëtuar pa pasojë por vetëm se e ka parë krimin duke ndodhur.

Beka ka theksuar se i dyshuari në fjalë edhe më herët ka ushtruar dhunë në familje dhe kjo vrasje mund të ketë ndodhur si pasojë e ndonjë zënke familjare.

“Motivi ende nuk dihet, mirëpo sigurisht ngjarja ka ndodhur pas ndonjë zënkë familjare. Djali i të dyshuarit nuk ka qenë në shtëpi kur ka ndodhur vrasja”.

“I dyshuari ka pasur probleme psikike të mëhershme. Si duket i njëjti paska ushtruar dhunë edhe më herët në familje. I dyshuari me inicialet H.K., është kryesi i veprës i cili më pas ka kryer edhe vetëvrasje. Gruaja e të dyshuarit që u vra është me inicialet H.K., si dhe reja e tij është me inicialet R.K”.

“Një fëmijë dy vjeçar ka qenë në vendin e ngjarjes. Djali ka shpëtuar pa pasoja mirëpo e ka parë krimin kur ka ndodhur. Fëmijën e ka marrë emergjenca për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor”, ka thënë Beka për klankosova.

Për këtë ngjarje tragjike ka folur edhe zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.

“Policia iu ka përgjigjur rastit dhe ka ftuar mjekët, njësinë ligjore, forenzikën dhe njësitë tjera që kërkohet të dalin në vendin e krimit. Fillimisht nga informacionet bëhet fjalë për vdekje të dyshimtë, ndërsa më pas është kuptuar se një person i gjinisë mashkullore ka vrarë gruan, rejën dhe më pas veten”, ka thënë Kelani.

Ai tha se personi i gjinisë mashkullore që dyshohet se ka kryer krimin është i lindur në vitin 1958, gruaja e tij e lindur në vitin 1959 ndërsa reja e lindur në vitin 1991. /Indeksonline/