75 Mall Live Search
11:41 / E Enjte, 22 Dhjetor 2022 / k.v

7 muaj burgim ndaj të akuzuarit për pengim të procedurës penale, në rastin e 400 kg kokainë të ardhur nga Brazili

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues, duke e dënuar me 7 muaj burgim efektiv të akuzuarin Hyzri Sheqiri, për veprën penale “Pengim i të provuarit apo i procedurës penale”, në rastin e 400 kilogramëve kokainë të ardhur nga Brazili.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Sheqiri u shpall të enjten, nga kryetari i trupit gjykues Musa Konxheli, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas aktgjykimi, pas shqyrtimit të marrëveshjes së arritur mes Prokurorisë dhe avokati të të akuzuarit, Artan Çerkini për veprën penale “Pengim i të provuarit apo i procedurës penale”, gjykata aprovoi marrëveshjen dhe shpalli dënim me 7 muaj burgim efektiv.

Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese vetëm lidhur me lartësinë e dënimit, ndërsa dënimi do të ekzekutohet pasi të bëhet i plotfuqishëm.

Në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Masa e paraburgimit, të njëjtit do t’i ndërpritet deri në ekzekutim të dënimit.

Ndryshe, në seancën e 21 dhjetorit, gjykatësi Konxheli njoftoi se është bërë veçimi i procedurës ndaj të akuzuarit Sheqiri, me arsyen se mbrojtësi i tij, avokati Artan Qerkini ka deponuar marrëveshje për pranimin e fajësisë e lidhur mes të akuzuarit Sheqiri dhe Prokurorisë Speciale.

Kurse, pesë të akuzuarit tjerë në këtë rast, Izet Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Brahimi, Kadri Sheqiri dhe Fehmi Bytyqi, u deklaruan të pafajshëm, në atë seancë.

Ndryshe, për të akuzuarin Naim Morina ishte bërë veçimi i procedurës në seancën e kaluar, pasi që i njëjti kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë dhe u dënua nga gjykata me 6 muaj burgim efektiv.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, të akuzuar janë pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe gjashtë të tjerë, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi”, ka raportuar ekskluzivisht për dosjen e Prokurorisë lidhur me këtë rast, ku akuzohet pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, si dhe Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.

Në këtë aktakuzë, Prokuroria ka propozuar të konfiskohen 400 kilogramëv kokainë, makina, armë e rreth 26 mijë eurove. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.