7 orë pas aksidentit në Klinë, mbetjet e veturës ende nuk janë larguar nga hekurudha (Pamje)

Një aksident me fatalitet ka ndodhur në fshatin Jogadë të Klinës rreth orës 12:30, ku një veturë u godit nga treni.
Si pasojë e aksidentit një person ka humbur jetën dhe tre të tjerë janë lënduar nga ky aksident.
Edhe pse kanë kaluar rreth 7 orë nga aksidenti, në hekurudhë ka ende mbetje të veturës së aksidentuar.
IndeksOnline ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes ku hekurudha nuk është pastruar nga institucionet përkatëse.
Po ashtu nga ky aksident i rëndë janë lënduar edhe tre persona, njëri prej tyre për shkak të gjendjes më të rëndë është nisur drejt QKUK-së.
“Tre persona janë pranuar në Emergjencën e Spitalit Rajonal pas aksidentit. Janë dy gra dhe një burrë. Ky i fundit është nisur drejt QKUK-së në Prishtinë, për shkak të natyrës më të rëndë të lëndimeve. Ai ka frakturë serike të brinjëve dhe të dorës”, ka deklaruar shefi i Emergjencës Besnik Ibraj.
Burimet e IndeksOnline kanë mësuar se viktima është N.Palushaj nga fshati Krysheve e Klinës, i moshës 68 vjeçare.
Rastin për Indeksonline e konfirmoi, zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:25. Në vendin e ngjarjes kanë dalur ekipet emergjente dhe zjarrfikësit. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku në vendin e ngjarjes. Tre të lënduarit janë dërguar për trajtim në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë. Në vend të ngjarjes kanë dal hetuesit dhe është njoftuar Prokurori i shtetit.”, tha ai.
Më poshtë mund të shihni pamjet nga aksidenti./IndeksOnline/