7 rregulla mirësjelljeje që të gjithë duhet të ndjekin në palestër
Për të gjithë ata që zhvillojnë aktivitet sportiv në ambientet e një palestre ka disa rregulla që duhet t’i dinë para se të fusin këmbët.
Ndodh rrallë që një palestër t’ju prezantojë me “librin e rregullores” kur ju regjistroheni, pasi pritet që të jeni të vetëdijshëm për disa rregulla mirësjelljeje.
Ja një listë e 7 zakoneve më të bezdisshme që njerëzit shfaqin në palestër
Mos vendosja e pajisjeve në vendin e tyre
Ky është gabimi më i shpeshtë që bëjnë njerëzit. Ata përdorin pajisjet dhe i lënë rrëmujë pasi mbarojnë, dhe presin që punonjësit e palestrës të kujdesen për to. Kështu që, sa herë që përdorni një pajisje vendoseni në vendin e duhur. Të lësh pajisjet rrëmujë krijon një ambient të pakëndshëm për të tjerët.
Të lëshosh peshat me zhurmë
Nuk ka rëndësi se sa kohë ke që po stërvitesh apo sa i lodhur je, nuk duhet kurrë t’i lëshoni peshat në tokë me zhurmë. Zhurma mund të shqetësojë të tjerët dhe për më tepër mund të ndodhin incidente. Uluni ngadalë dhe vendosini peshat me delikatesë në vendin e tyre.
Të flasësh në telefon me zë të lartë
Në palestër nuk je vetëm, ka dhe njerëz të tjerë përreth. Të flasësh me zë të lartë në telefon është një “JO” e madhe. Askush nuk do të jetë pjesë e bisedës tënde. Realisht telefoni nuk duhet të mbahet me vete kur stërvitesh, por nëse ka të bëjë me diçka të rëndësishme dhe duhet patjetër të përgjigjesh, atëherë duhet të dalësh nga ambientet ku të tjerët stërviten.
Të krijosh tepër shoqëri
Palestra është një vend ku stërvitesh dhe si i tillë duhet të përqendroheni pikërisht tek kjo. Edhe pse mund të jetë argëtuese të bisedosh pak me shoqen apo shokun që stërvitet në të njëjtën palestër, mundohuni të mos e ekzagjeroni. Nëse qëndroni në mes të palestrës dhe nisni një bisedë, kjo vetëm sa do të shqetësojë të tjerët.
Të ulesh në pajisjet për një kohë të gjatë
Është e rëndësishme te bësh pak sekonda pushim mes ushtrimeve, por nuk duhet ta zgjasni këtë periudhë pushimi nga 30 sekonda në 10 minuta. Shumë njerëz bëjnë ushtrime intensive për1 minutë dhe më pas i hedhin një sy instagramit për 10 minuta para se të fillojnë ushtrimin tjetër. Kjo sjellje nuk është e mirë. Nëse keni ndërmend të bëni pushim 10 minuta atëherë jepini dikujt tjetër shansin që të përdorë makinerinë.
Të lini vendin me djersë
Nëse keni mbaruar ushtrimet në makineri, fshini djersën kur ngriheni. Askush nuk ka dëshirë të stërvitet në një vend të ndotur me djersë.
Të konsumosh ushqim në ambientin e stërvitjes
Domosdoshmëria për të ngrënë diçka para apo pas stërvitjes është normale, por mos e bëni këtë në palestër. Është komplet e ndaluar!