70 vjet Kinë komuniste, presidenti Jinping: Askush s’mund të na ndalë
“Asnjë forcë nuk mund ta ndalë Kinën”. Ishte ky mesazhi që përcolli presidenti Xi Jinping në fjalimin e mbajtur në sheshin “Tienanmen”, para se të inspektonte trupat që morën pjesë në paradën ushtarake për 70-vjetorin e Republikës Popullore.
“Asnjë forcë nuk mund ta lëkundë shtetin tonë apo ta ndalë popullin kinez të ecë përpara”, tha Jinping.

Në paradën ushtarake me rastin e 70-vjetorit të themelimit të republikës u prezantuan për herë të parë raketat ndërkontinentale DF41 me karburant të ngurtë, të cilat janë në gjendje të arrijnë në territorin amerikan brenda një ore.
Pjesë e paradës madhështore janë edhe portretet e udhëheqësve dhe ish-liderëve të Republikës Popullore, duke filluar ngaMao Zedong, Deng Xiaoping, Hu Jintao e për ta mbyllur me liderin aktual Xi Jinping, i konsideruar si promovuesi i epokës së re. Në fjalimin e tij, Jinping premtoi prosperitet dhe qëndrueshmëri për Hong- Kongun dhe Makaon, rajonet gjysmëautonome që bazohen në parimin një vend, dy sisteme.

Ai siguroi se përpjekjet për bashkimin e plotë do të vazhdojnë: “Ne duhet të ruajmë të palëkundura parimet e një bashkimi paqësor dhe ato të një vendi e dy sisteme, duke garantuar stabilitet afatgjatë në Hong- Kong dhe Makao”.
Parada ushtarake zgjati 3 orë dhe në të morën pjesë rreth 15 mijë trupa dhe 100 mijë civilë. Aktiviteti u eklipsua disi nga smogu, që pavarësisht mbylljes së fabrikave ndotëse gjatë javës, nuk u zhduk.






