75 Mall Live Search
22:02 / E Premte, 12 Dhjetor 2025 / F.R

“790 zyrtarë në aksion”, Policia e Kosovës jep detaje për ushtrimin me Ambasadën Amerikane

Policia e Kosovës ka zhvilluar me sukses të plotë ushtrimin e përbashkët të reagimit ndaj krizave me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë. Aktiviteti është mbajtur në zonën e Ambasadës Amerikane në lagjen Arbëria, me qëllim testimin e gatishmërisë institucionale dhe forcimin e koordinimit ndërmjet njësive të sigurisë në situata të mundshme emergjente.

Në ushtrim janë angazhuar rreth 790 zyrtarë policorë të profileve të ndryshme, të cilët kanë demonstruar funksionimin efektiv të mekanizmave të komunikimit, reagimin e shpejtë dhe bashkëveprimin me personelin e sigurisë së Ambasadës Amerikane. Skenarët e planifikuar përfshinë përdorimin e mjeteve të specializuara, testimin e procedurave operative dhe simulimin e situatave të ndryshme të menaxhimit të krizave, shkruan IndeksOnline.

Ushtrimi është realizuar pa incidente, falë profesionalizmit të njësive të angazhuara dhe bashkëpunimit të qytetarëve, të cilët respektuan devijimet dhe ndërprerjet e përkohshme të qarkullimit në zonë.

Policia e Kosovës vlerëson lartë kontributin e të gjitha njësive policore të përfshira dhe thekson se ky aktivitet konfirmon partneritetin e fuqishëm me Ambasadën Amerikane dhe institucionet e tjera relevante, me synim garantimin e një ambienti sa më të sigurt për qytetarët dhe stafin diplomatik.

PK bën të ditur se do të vazhdojë me ushtrime të ngjashme, të cilat rrisin aftësitë operacionale dhe përgatitjen për çdo situatë emergjente./IndeksOnline/