75 Mall Live Search
10:40 / E Mërkurë, 18 Shtator 2024 / mp

8 të vdekur e 2800 të lënduar pas shpërthimit simultan në Liban

Të paktën 8 persona kanë vdekur e më shumë se 2800 janë lënduar në Liban si pasojë e shpërthimit në të njëjtën kohë të paisjeve të komunikimit, të njohura si pejxherë. Ministria libaneze e Shëndetësisë ka thënë se 200 nga të lënduarit janë në gjendje të rëndë dhe në rrezik për jetën. Pejxherët përdoreshin nga pjesëtarët e Hezbollahut, organizatë kjo që e ka fajësuar Izraelin për ngjarjen.

Sulme në pajisjet hardverike janë shumë të rralla, sidomos kur bëhet fjalë në numër më të madh dhe përnjëherësh pasi kushdo që e ka bërë dhe nëse e ka bërë është dashur të ketë qasje të drejtpërdrejtë në pajisje dhe atë gjatë procesit të prodhimit apo montimit.

Sipas Frank Gardnerit, gazetarit të BBC-së për siguri sabotimi i kaq numrit të madh të pejxherëve në Liban ka kërkuar shumë kohë për inteligjencë por edhe aftësi teknike.

Një ish-ekspert për municione në ushtrinë britanike, në kushte anonimiteti ka thënë se ka të ngjarë që secili pejxher ishte mbushur me 10 deri 20 gramë eksploziv të fuqishëm ushtarak të fshehur brenda një komponenti të rremë elektronik. Ndërsa aktivizimi është bërë përmes një sinjali diçka që njihet si mesazh në formë teksti alfanumerik.

Që nga fillimi i luftës në Gazë vitin e kaluar, Hezbollahu i kishte paralajmëruar pjesëtarët e vet që të mos i përdorin telefonët mobil nga frika se mund të përgjoheshin nga agjentët izraelit të inteligjencës. Në vend të telefonëve, Hezbollahu po i përdorte pejxherët për komunikim, me një sasi të tyre të furnizuar kohë më parë.

Në vitin 1996, agjencia inteligjente e Izraelit, e njohur si Shin Bet kishte vrarë një ndërtues bombash të Hezbollahut me vënien e eksplozivit në telefonin e tij.