8 vjeçarja humbi jetën nga abuzimi i tmerrshëm që ia bën prindërit adoptues
Një çift nga Uashingtoni ka tronditur opinionin publik amerikan, pasi zbulohet se kanë torturuar për vdekje një vajzë 8-vjeçare dhe më pas kanë udhëtuar mbi 1,700 kilometra me trupin e pajetë të saj të fshehur në një kamion U-Haul, shkruan Daily Mail- transmeton IndeksOnline.
Mandie Miller, 36 vjeçe, u dënua me 32 vjet burg, për vrasjen e vajzës së saj të adoptuar dhe njëkohësisht mbesës biologjike, Meela, ngjarje që ndodhi në shtator të vitit 2022. Partneri i saj, Aleksander Kurmoyarov, 31 vjeç, ishte bashkëpunëtor në krim.
Sipas hetimeve, çifti e lidhi vajzën me lidhëse plastike (zip ties) dhe i goditi gishtat e këmbëve me çekiç, duke e konsideruar këtë si “ndëshkim”. Ata gjithashtu e privuan Meelën nga ushqimi dhe uji, duke e lënë të peshonte vetëm rreth 12 kilogramë në momentin e vdekjes.
Prokurorja e qarkut Spokane, Emily Sullivan, deklaroi në seancën e dënimit se dhuna ndaj fëmijës ishte regjistruar pa dijeninë e autorëve nga kamerat e sigurisë në shtëpi. Pamjet tregonin se vajza mbahej e lidhur për orë të tëra, ditë pas dite, dhe fiksohej në një sedilje makine me lidhëse plastike.
“Faktet janë të pakundërshtueshme: ata e sulmuan, e lanë pa ushqim, e lidhën, e torturuan dhe e vranë,” tha prokurorja.
Pas vdekjes së Meelës, çifti jetoi tre muaj me trupin e saj të pajetë në shtëpi, duke pretenduar se “donin të kalonin më shumë kohë me të”. Në dhjetor, ata morën me qira një kamion U-Haul, vendosën trupin e vajzës në një arkivol dhe udhëtuan drejt Dakotës së Jugut.
Punonjësit e një shtëpie funerale u bënë dyshues kur çifti kërkoi varrosjen e arkivolit pa dokumente zyrtare të vdekjes. Ata njoftuan policinë, e cila bashkëpunoi me autoritetet në Uashington dhe siguroi urdhër-arreste.
Fillimisht, çifti u akuzua për mosnjoftim të vdekjes, por më pas u përball me akuza shumë më të rënda. Mandie Miller pranoi fajësinë për sulm, vrasje nga abuzimi dhe dy akuza për burgim të paligjshëm.
Në gjykatë foli edhe nëna biologjike e Meelës, Andrea Miller, e cila, mes lotësh, tha se i falte autorët:
“Ju fal dhe Jezus Krishti ju do. Lutem që kjo të mos i ndodhë më kurrë asnjë fëmije.”
Partneri i Miller, Kurmoyarov, pranoi fajësinë për vrasje, sulm dhe burgim të paligjshëm. Ai shmangu dënimin e përjetshëm dhe pritet të dënohet më 10 shkurt.

