80 % e qytetarëve në Ballkan nuk u besojnë partive politike, shkak korrupsioni, shpifjet dhe sharjet

Qytetarët e rajonit kanë vetëm një dozë të vogël të besimit tek partitë politike, për të mos thënë fare. Në matjet e fundit të Barometrit Ballkanit, 75 % deri në 83 % e qytetarëve, varësisht prej vendit të Ballkanit, nuk u besojnë fare partive politike.
Një prej arsyeve kryesore është fakti se ato shihen si burime të korrupsionit.
“Korrupsioni i organizuar nuk është vetēm përfitimi nga fonde publike, por dhe skema se si përfitimet e paligjshme financiare, financimet e dyshimta të partive, përdoren për “punësimin sulmuesve në media sociale” ( trollers), për propagandimin e lajmeve/informacionit të rreme ose për të sulmuar këdo që ka mendim kritik e ndryshe”, ka thënë Majlinda Bregu, sekretare e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal në Forumin e Zhvillimit të Politikave në Tiranë.
“Paradoksi i kohës ku jetojmë? Çdo gjë duket se është edhe më mirë edhe më keq se mē parë. Digjitalizimi ka ndryshuar tregun e punës dhe median psh, por bashkë me të vjen dhe vonesa jonë për tu përshtatur me punët e reja, ose rreziku i hallakatjes nga dizinformimi. A ka një lidhje mes faktit që Partitë Politike janë institucionet më pak të besuara për 75% të qytetarëve në rajon ( 83% në Shqipëri) dhe rritjes së dizinformimit? Mesa duket, Po.”, ka thënë më tej sekretarja Bregu.
Sipas saj, kultura e llogaridhënies dhe lufta ndaj keqinformimit, dizinformimit, nis nga transparenca e financave të partive politike.
“E kur kjo të ndodhë, ndoshta mund të uljet të nivelit i lartë mosbesimit që qytetarët kanë ndaj partive politike, që aktualisht është 75%, ndërsa fatkeqësisht në Shqipëri qendron në nivelin e 83%. Volumet e shpifjeve mbysin dëshirën e të rinjve për t’u përfshirë në politikë. Në rast se politika duhet të frymëzojë e të krijojë modele për t’u ndjekur, qasja e sharjes, fyerjes, cinizmit, shkeljes së tjetrit apo kundërshtarit, goditjes së pabesë, mungesës së dëshirës për të zgjidhur konflikte, ngjallja e urrejtjes për tjetrin, janë vetëshkatërrim për këdo që në politikë synon më shumë se sa pushteti veç për vete”, ka thënë ajo.