75 Mall Live Search
14:42 / E Mërkurë, 16 Dhjetor 2020 / OSH

800 euro gjobë për zyrtarin që nuk e deklaroi pasurinë në Prizren

Gjykata Themelore e Prizrenit ka shpallur aktgjykim dënues, ndaj të akuzuarit R.M. për shkak se nga 01.03.2019, deri më 31.03.2019, në cilësi të zyrtarit të lartë publik, nuk bëri deklarimin në zotërimin e aksioneve në shoqëri tregtare të prindit të tij H.M., si edhe të hyrat nga këto aksione, të dhëna këto të domosdoshme për deklarimin e pasurisë për zyrtarët e lartë publik.

Gjykata i ka shqiptuar gjobën në shumën prej 800 eurosh të cilën i akuzuari është i obliguar ta paguajë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.


Nëse i akuzuari nuk e paguan gjobën në afatin e lartcekur, ky dënim do të ekzekutohet në mënyrë të dhunshme ashtu që do të zëvendësohet me dënim me burgim, duke llogaritur 20 euro ditën, respektivisht 40 ditë burgim.

“Dënim me burgim me kusht, ashtu që gjykata i vërteton dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në afatin prej 1 viti, në rast se i akuzuari nuk kryen vepre të re penale”.

I akuzuari është obliguar që në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor, të paguajë shumën prej 30 eurosh, dhe shumën prej 30 eurosh në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit.

Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.