11:22 / E Enjte, 30 Nëntor 2023 / S Z

84 burra të dhunuar gjatë luftës, kërkohet drejtësi e mos-stigmatizim

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka mbajtur konferencën ndërkombëtare “Modelet e dhunës seksuale gjatë luftës ndaj burrave dhe djemve”.

Drejtoresha ekzekutive e QKRMT-së, Feride Rushiti,  ka theksuar se kjo konferencë ka për qëllim që të zgjerojë dhe të thellojë të kuptuarit e dinamikës gjinore të luftës dhe dhunës seksuale gjatë saj, të shtojë njohuritë dhe të kuptuarit e përvojave të burrave të mbijetuar dhe të kontribuojë në kontekstualizimin dhe njohjen më të gjerë në komunitet, shoqëri dhe spektrin politik.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, ka thënë se secili që ka përjetuar çfarëdo dhunë gjatë luftës është i barabartë, duke bërë thirrje që të dhunuarit seksualisht gjatë luftës të mos stigmatizohen. Sipas saj, ka shumë për të bërë që ky aspekt të ndryshohet brenda shoqërisë kosovarë.

Melanie J.H.Scarlett, shefe e ekipit për politikë të jashtme në ambasadën britanike në Kosovë, ka deklaruar se shumica e burrave të dhunuar në Kosovë deri më tani nuk kanë marr guxim që të tregojnë historinë e tyre, raporton Rtk.

Sipas saj, vetëm 84 burra deri më tani të dhunuar seksualisht gjatë luftës janë paraqitur pranë institucioneve.

Ndërsa, Shyrete Tahiri Sulimani, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës, bëri thirrje që të gjithë ata që kanë përjetuar dhunën gjatë luftës të kërkojnë të drejtat e tyre për trajtim, rehabilitim e qasje në drejtësi.

Gjithashtu në këtë konferencë është publikuar edhe libri “Zëra të pa dëgjuar”, i përpiluar në formatin e rrëfimit të historisë gojore, eksploron ndërlikimet e dhunës seksuale të kohës së luftës dhe drejtësisë sociale përmes tregimeve të 10 burrave të mbijetuar që përjetuan traumën e dhunës seksuale dhe që merren me turpin dhe stigmën kolektive.