75 Mall Live Search
23:11 / E Mërkurë, 28 Gusht 2019 / indeksADMonline

85 mijë fëmijë me nevoja të veçanta, në Kosovë, s’e ndjekin mësimin, arsyeja mungesa e profesionistëve

Fëmijët me nevoja të veçanta, në Kosovë, vazhdojnë të diskriminohen nëpër institucione. E një fakt shqetësues për ta mbetet mosvijimi i mësimit nëpër institucionet shkollore. Në bazë të një analize të UNICEF-it, në vendin tonë 38.000 fëmijë me aftësi të kufizuara s’e vijojnë mësimin, ku sipas tyre vetëm afro 5.300 janë duke ndjekur shkolla të rregullta. Lidhur me këtë çështje psikologia, Etleva Durmishi, i ka thënë Indeksonline se një numër kaq i madh i këtyre fëmijëve, të cilët nuk vijojnë mësimin, përbën fatkeqësi dhe neglizhencë sociale.

“Një numër kaq i madh fëmijësh me aftësi të kufizuara që s’e vijojnë mësimin përbën një fatkeqësi dhe neglizhencë sociale dhe si e tillë, vazhdon të mbetet e patrajtuar dhe po zvarritet të adresohet si çështje me prioritet. Kjo sigurisht se ndikohet në masë nga turbulencat e transformimit social në periudhën e pasluftës, vështirësitë në stabilizimin e sistemit arsimor dhe planifikimit më të kujdesshëm të klasave, metodave të mësimdhënies, punës individuale me nxënës, nivelit të mësimdhënësve, organizimit grupor të tyre e të tjera të ngjashme”

Psikologia Durmishi, gjithashtu tha se nëpër vendet e botës punohet për krijimin e aplikimit të metodave për këta fëmije, derisa sipas saj në vendin tonë nuk po ndodh një gjë e tillë për shkak të mungesës së profesionistëve.

“Po ashtu, kudo në botë po punohet intensivisht në krijimin dhe aplikimin e metodave dhe të programeve të veçanta për këta fëmijë, e po të njëjtat dinë të inkuadrohen paksa me vonesë në shoqërinë tonë. Kjo pra, për shkak të mosorganizimit të duhur të shumë elementeve, por edhe për shkak të numrit të vogël të profesionistëve dhe bashkëpunimit me ta, ndihma e të cilëve do të ishte shumë e dobishme në këtë aspekt” Sipas saj, mosvijmi i mësimit nga këta fëmijë, përcillet me pasoja pasi që sipas saj kanë ndikim të shumëfishtë në fushat sociale.

“Sidoqoftë, mosvijimi i mësimit nga fëmijët me nevoja të veçanta përcillet me sfida sociale dhe psikologjike sigurisht, pasojat e së cilës theksohen me kalimin e kohës dhe kanë ndikim të shumëfishtë te shumë fusha sociale, në veçanti te fëmijët e përfshirë. Mbi të gjitha, duhet ditur se fëmijët me nevoja të veçanta, me gjithë kufizimet me të cilat ballafaqohen, kanë potenciale të jashtëzakonshme dhe specifike e të cilat duhen mbështetur e ushqyer me kujdes, sepse janë pjesë e rëndësishme e shoqërisë”, tha ajo.

Etleva tha ndërkaq, se mosvijimi i mësimit cenon integritetin e tyre social, ngadalëson përpunimin e shkathtësive të tyre, shton ngarkesën e tyre emocionale, vihet një barrierë e theksuar midis prindërve dhe mësuesve, përgjegjësia e edukimit dhe përcjelljes së dijes, informimit dhe zhvillimit bie tërësisht mbi prindërit e të cilët mund të mos jenë, të mos zotërojnë të gjitha burimet e nevojshme për të bartur të njëjtën vlerë te fëmijët.

Kjo ngaqë kjo është edhe përgjegjësi e shumëfishtë sociale dhe në po të njëjtën kohë investohet vetëm në aktivitete të disenjuara vetëm për këto grupe fëmijësh me nevoja të veçanta, por që nuk janë të mjaftueshme dhe nuk përmbushin nevojat e tyre.

Ndryshe në Kosovë jetojnë 250.000 persona me nevoja të veçanta. Këtu 10 për qind e popullatës së përgjithshme në Kosovë, llogaritet të jetë me nevoja të veçanta. /Indeksonline/