9.5 milionë euro rrymë u importua për 16 ditë, KESCO: konsumi është rritur
Gjatë këtij dimri, një pjesë e madhe e familjeve në Kosovë i janë kthyer ngrohjes me pajisje elektrike. Klimat dhe sistemet e tjera të ngrohjes me rrymë janë shndërruar në zgjidhjen më të zakonshme për t’u mbrojtur nga temperaturat e ulëta.
Me përdorimin e pajisjeve elektrike për ngrohje, është rritur edhe konsumi i energjisë elektrike. Si rrjedhojë një pjesë e tyre u ankuan se rryma u erdhi shtrenjtë.
Vetëm gjatë 16 ditëve të janarit, importi sipas KESCO-s, ka shkuar në 9.5 milionë euro, shkruan RTK.
Në kohën kur konsumi është i lartë, disa zona në Prishtinë e komuna të tjera janë përballur me ndërprerje të energjisë elektrike. Për këto ndërprerje, ankesa kanë pasur bizneset.
Operatorët energjetikë në vend kanë ngritur shqetësime për rritjen e konsumit të energjisë elektrike, sidomos gjatë orëve të mbrëmjes, për çka edhe është tejkaluar prodhimi, e është rritur importi.
Nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike nuk patën përjashtuar mundësinë që tarifat e rrymës të ngrihen sërish nëse importi vazhdon të jetë i lartë.

