9 muaj burgim për shitje droge, në Pejë

Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka dënuar me nëntë muaj heqje lirie të pandehurin A.K. për shkak se gjatë periudhës kohore shkurt e deri më 10.09.2019 në Pejë, pa autorizim ka shpërndarë dhe shitur substanca narkotike të llojit marihuanë.
I pandehuri gjatë kësaj periudhe i ka shitur disa herë dëshmitarit E.S. sasi të ndryshme të narkotikut në shumë nga 5 euro e po ashtu i ka dhënë për konsumim narkotik vëllait të tij, gjersa me pas pranimit të informatave sektori i policisë për hetimin e trafikimit me narkotikë në Prishtinë ka ndërmarrë një operacion bastisjeje dhe kontrolli në shtëpinë ku ishte duke banuar i pandehuri me ç’rast me të filluar kontrollin i pandehuri nga dritarja e ballkonit të shtëpisë i ka hedhur në oborrin e shtëpisë së fqinjit të tij tri qese najloni me substance narkotike në peshë të përgjithshme 56.4 gramë.
Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge sipas KPRK -së.
Dënimin me burgim i pandehuri do ta vuajë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi si edhe gjobitje në shumë prej pesëqind eurosh.
Po ai obligohet në emër të shpenzimeve të procedurës penale gjykatës t’ia paguajë shumën prej 50 eurosh, shpenzimet e paushallit gjyqësor në shumë prej 50 eurosh si edhe në emër të kompensimit të viktimave të krimit shumën prej 50 eurosh, e të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi .
Atij i është konfiskuar telefoni celular si dhe substanca narkotike. Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.