18:26 / E Hënë, 30 Gusht 2021 / AR

90% e punëtorëve të arsimit të vaksinuar, shqetësuese mbetet mospasja e termineve të lira

Për shkak të situatës me pandeminë Covid-19, fillimi i vitit të ri shkollor është shtyrë deri më 13 shtator. Megjithatë punëtorët e arsimit tashmë janë gati dhe numri i atyre që janë vaksinuar po rritet çdo ditë e më shumë.

Gjendja me virus në sektorin e arsimit është përmirësuar dukshëm derisa numri i të vaksinuarve vetëm me dozën e parë ka shkuar në afër 90%.

Kështu ka thënë në një prononcim për Indeksonline, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari.

Megjithatë, shqetësuese për ta sikur edhe për të gjithë, mbetet mospasja e termineve të lira për vaksinim.

“Nga takimet që kemi pasur para dy tri ditësh me kryetarët e nivelit komunal dhe të shteteve, bazuar në raportet e tyre ata thonë se vaksinimi po ecë mirë dhe se po rritet numri i të vaksinuarve nga sektori i arsimit. Ka deklaruar edhe vet MASHT që ka formacionet zyrtare nga IKSHPK dhe MSH që kemi një ngritje të vazhdueshme sa i përket numrit të të vaksinuarve. Ajo që brengos tani është se nuk ka termine të lira për ata që janë vonuar me vaksinim, ne kemi bërë apel qe MSH që të shtojë kapacitetet me personel shëndetësor, mundësisht të hapë edhe qendra të tjera të vaksinimit. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për punëtorët e arsimit por që edhe qytetarët e tjerë të kenë mundësi të vaksinohen sa më shpejtë dhe të mos presin me radhë e me orë të tëra. Tek ne, në sektorin e arsimit ka përmirësim të dukshëm të situatës sa i takon vaksinimit dhe është arritur diku numri 90% që janë vaksinuar së paku me një dozë të vaksinës”, tha ai.

Jashari tutje u shpreh se do të respektojnë cilindo vendim të institucioneve, siç ishte ky për shtyerjen e fillimit të vitit shkollor.

Ne kemi folur edhe në takimet me institucionet që jemi të gatshëm të fillojmë vitin e ri shkollor por me takimin që kemi pasur me kryetarët e nivelit komunal, sindikal dhe ata të universiteteve është shprehur një vendim që ne jemi të gatshëm për një fillim por e kemi lënë që institucionet të vendosin, kështu që ata kanë vendosur që viti shkollor të shtyhet deri më 13 shtator për shkak të gjendjes me koronavirus. Ne kemi deklaruar se cilindo vendim të institucioneve do ta respektojmë dhe do të pajtohemi”, tregoi ai.

Kryetari i SBASHK-ut deklaroi se nga takimet e fundit që kanë pasur iu është thënë se në mesin e të infektuarve me Covid-19 ka edhe punëtorë të arsimit mirëpo numri i tyre është i vogël.

Nga ajo që u tha në takimin tonë, ka punëtorë të infektuar por numri i tyre është i vogël. Këtë vlerësim e kanë dhënë kryetarët, jo ndonjë vlerësim zyrtar sepse ata mund të mos i kenë shënimet ngase shënimet për të prekurit i kanë task-forcat brenda shkollës pastaj DKA dhe Ministria e Arsimit. Pra, e kanë thënë kështu pa numra të verifikuar”, përfundoi ai./Indeksonline/