13:39 / E Hënë, 02 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

900.000 euro për fazën e parë të projektit për rregullimin e shtratit të lumit, Krivarekë

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka nisur punimet në fazën e parë të projektit për rregullim të shtratit dhe pastrimit të lumit Krivareka në Kamenicë.

Me këtë rast ministri në detyrë i Mjedisit, Fatmir Matoshi, tha se ky projekt synon që ta kthejë në gjendje më të mirë lumin Krivareka pasi që do të pajiset me infrastrukturën e nevojshme. Sipas tij kostoja e projektit është 900 mijë euro.

“Po fillojmë realizimin e projektit rregullimi i shtratit të lumit Krivareka është faza e parë. Për këtë fazë janë të ndara 900 mijë euro, ky shtrat i lumit siç po e shihni është i degraduar me vite të tëra. Parashihet në kuadër të këtij projekti pastrimi i plotë i tij, rregullimi i infrastrukturës përcjellëse, asfaltimi i anësoreve, shëtitoreve për këmbësorët, biçikletistët, ndriçimi për gjatë gjithë kësaj pjese të lumit, ulëse e shumë gjëra tjera që do e bëjnë shumë më atraktiv qytetin e Kamenicës, ndërrojmë pamjen e tij dhe të kthejmë gjendjen e këtij lumit që e ka pasur kur është ndërtuar”, tha Matoshi.

Gjatë ditës së sotme, Matoshi ka inspektuar edhe punimet për pastrimin e lumit Katushnicë.

“Ne sot kemi filluar edhe pastrimin e shtratit të lumit nga Katushnicë deri në Karaçevë të Ulët. Ka një gjatësi prej mbi 5 kilometra, është po ashtu një lum i degraduar i mbushur me mbeturina dhe ai projekt parasheh pastrimin e tij, zgjerimin e shtratit të lumit dhe krijimin e kushteve më të mira për ujë më të pastër për banorët e asaj zone”, theksoi Matoshi.

Në kuadër të kësaj vizite në rajonin e Gjilanit dhe Kamenicës, Matoshi ka parë nga afër edhe fillimin e punimeve të rregullimit të ujërave të zeza dhe shtratit të lumit në Dobërçan.