Sfishta: Studentët kishin tri ditë afat për t’i hequr gjërat nga konviktet

Personat për të cilët vërtetohet ose dyshohet se kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejt me personat e sëmurë apo të dyshimtë me sëmundje nga koronavirus COVID-19 futen në karantinë. Si hapësirë karantine nga sot do të mund të shfrytëzohen edhe dhomat e Qendrës së Studentëve në Prishtinë. Ky vendim është marrë sot nga Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e 13-të korresponduese, të ftuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti.
Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta thotë për KosovaPress se përgatitjet kanë filluar qysh nga largimi i studentëve. Derisa tregon se deri kur është përcaktuar që këto hapësira të shfrytëzohen si karantinë.
“Në orët e pasdites na ka ardh një vendim i ndërmarrë prej Qeverisë së Kosovës, ku Qendra e Studentëve është shndërruar në një karantin ë për të prekurit eventual nga pandemia korona virus. Ne si Qendër e Studentëve prej momentit që kanë dalur studentët kemi filluar përgatitjet e nevojshme për t’i bërë gati konviktet edhe për studentët por edhe për emergjencat eventuale që kanë mujt me ndodhë me rastet e koronavirusit. Për momentin është data 27 mars, nuk kemi datë tjetër. Vendimi i mëhershëm i qeverisë ka qenë që të mbyllen institucionet shkollore deri në datën 27 mars, tjetër datë nuk kemi për momentin”, thotë Sfishta.
Shumë studentë gjatë këtyre ditëve janë ankuar se nuk kanë qenë të informuar për të mbledhur gjërat e tyre të cilat ndodheshin në dhomat ku po qëndronin. Për këtë Sfishta thotë se kanë pasur ditë në dispozicion për të mbledhur pajisjet e tyre.
“Studentët janë njoftuar ditën e enjte, një ditë pas vendimit të qeverisë dhe kanë pasur tri ditë në dispozicion që të marrin os e të lejnë ato pajisjet e veta nëpër dhomat e tyre. Mirëpo çfarë mund të them tash është se çdo pajisje, libër apo çdo gjë që kanë lënë në dhomat e tyre është e izoluar dhe nuk ka qasje askush në pajisjet e tyre”, thekson ai.
Ai zotohet se janë pastruar të gjitha hapësirat, dhe se ofrohen të gjitha kushtet për karantinim në rast nevoje në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.
Qendra e Studentëve në Prishtinë kalon në menaxhim të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Shëndetësisë deri në pushim të gjendjes emergjente të shpallur nga Qeveria e Kosovës me vendimin Nr.01/11, të datës 15 mars 2020.
Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe institucionet tjera relevante obligohen të kryejnë të gjitha procedurat për zbatimin e këtij vendimi.