21:04 / E Shtunë, 09 Korrik 2022 / OSH

962 të infektuar me COVID në Shqipëri, ndërron jetë 84-vjeçarja nga Tirana

Shqipëria sërish ka regjistruar shifra të larta të të infektuarve me COVID përgjatë 24 orëve të fundit, ku kanë rezultuar të prekur 962 qytetarë.

Në 24 orët e fundit janë kryer 2245 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me COVID19 404 qytetarë në Tiranë, 62 në Durrës, 46 në Vlorë, 43 në Berat, 35 në Sarandë, 33 në Lezhë, 32 në Shkodër, 28 në Lushnje, 23 në Kamëz, nga 22 qytetarë në Elbasan, Patos, 21 në Fier, 19 në Kavajë, 18 në Gjirokastër, nga 13 qytetarë në Divjakë, Krujë, Korçë, 10 në Himarë, 7 në Vorë, nga 6 qytetarë në Vau i Dejës, Dimal, Kuçovë, Belsh, Gramsh, nga 5 qytetarë në Kurbin, Roskovec, Mallakastër, Librazhd, nga 4 qytetarë në Malësi e Madhe, Puke, Mirditë, Dibër, Delvinë, Këlcyrë, Tepelenë, nga 3 qytetarë në Kukës, Kolonjë, nga 2 qytetarë në Rrogozhinë, Maliq, Pogradec, Devoll, Skrapar, nga 1 qytetar në Fushë Arrëz, Mat, Selenicë, Përmet.

Janë 6,189 qytetarë aktivë me Covid19 në gjithë vendin.

Aktualisht në spitalin COVID3 po marrin trajtim 33 pacientë. Në 24 orët e fundit ka një humbje jete me Sars-Cov2, një 84-vjeçare nga Tirana.

Janë shëruar 416 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 277,992 që nga fillimi i epidemisë.

Që prej fillimit të covid në vendin tonë janë regjistruar 287,694 të infektuar, ndërsa 277,992 janë shëruar. Kurse 3,513 persona nuk kanë mundur dot t’i mbijetojnë armikut të padukshëm.

Nisur nga rritja e numrit të qytetarëve të prekur nga Covid19, Ministria e Shëndetësisë i bën sërish thirrje qytetarëve të mos neglizhojnë vaksinimin anticovid, posaçërisht në këtë periudhë të rritjes së kontakteve, për shkak të lëvizjeve përgjatë sezonit veror.

Çdo person mbi 12 vjeç, mund të vaksinohet në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin. Gjithashtu MSHMS apelon të gjithë qytetarët e vaksinuar, që të drejtohen në qendrat shëndetësore, për t’u vaksinuar me dozën përforcuese.