12:30 / E Martë, 11 Qershor 2019 / indeksADMonline

974 zyrtarë të lartë do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë

Agjencia Kundër Korrupsionit, në prezencë të mediave dhe shoqërisë civile, ka tërhequr e shortit për zyrtarët e lartë publik që do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë. Sipas shortit, nga 4862 deklarues, formularët e 974  zyrtarëve do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë nga ana e Agjencisë.

Përtej kësaj liste të dalë nga shorti publik, Agjencia ka mandat që të  bëjë kontrollin e plotë tëpasurisë edhe të zyrtarëve të tjerë që nuk janë përzgjedhur nga shorti.
Agjencia këtë mund ta bëjë sipas detyrës zyrtare apo me kërkesë të publikut apo personave të tjerë  të interesuar, në rastet kur ekzistojnë dyshime të bazuara në saktësinë dhe korrektësinë e deklarimeve.

Të bashkëlidhur mund të gjeni listen e zyrtarëve që do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë së deklaruar.

Kontrolli i plotë i pasurisë së deklaruar bëhet në përputhje me Ligji  nr. 04/L-228 për Ndryshimin dhe  Plotësimin e Ligjit nr. 04/L-050 për Deklarimin, Prejardhjen dhe  Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik, sipas dispozitave të të cilit, kontrollit të plotë i 
nënshtrohen 20% e zyrtarëve që janë të obliguar të deklarojnë pasurinë e tyre.

Procedura e nxjerrjes së listës për kontrollin e plotë të pasurisë së  zyrtarëve të lartë publik
është zhvilluar duke përdorur dy vazo – në njërën vazo janë vendosur  nëntë fleta të palosura të cilat janë tërhequr nga përfaqësuesit e mediave. Vetëm njëra  fletëpalosje  ka pasur mbishkrimin,

“Përzgjedhësi”, kurse të tjerat kanë qenë të zbrazëta. Njëri nga  kameramanët  tërhoqi fletëpalosjen me mbishkrimin “Përzgjedhësi”  dhe, sipas procedurës,  tërhoqi një numër nga vazoja e dytë ku ishin po ashtu të vendosur numrat nga 1 deri në 9   fletëpalosje. Numri i përzgjedhur ishte 6 dhe për të arritur 20%-shin e listës totale ky numër  është rritur progresivisht për 5 (pesë) deri në fund të listë.