Hoti në mbledhjen e parë: Qeveria jonë ka program të pasur në zhvillimin ekonomik, na priftë e mbara të gjithëve

Kryeministri i ri i vendit, Avdullah Hoti ka udhëhequr sot mbledhjen e parë të Qeverisë së re të Kosovës.
Me të nisur mbledhjen, Hoti u ka uruar kabinetit qeveritar punë të mbarë në sfidat që i presin.
“Falënderojë stafin mjekësorë të cilët treguan profesionalizëm të lartë në menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19.Dëshiroj të përmend në veçanti zyrtarët policor që ishin në krye të detyrës, stafin administrativ qendror e komunal, bizneset private që bën të pamundurën për të ofruar shërbime për qytetarë gjatë kësaj periudhe. Ndërmarrjet publike që patën vështirësi por arritën të ofrojnë shërbimet bazike. Shpreh ngushëllime për familjet e viktimave që humbën jetën nga kjo pandemi. Do t’u qëndrojmë afër gjatë gjithë kohës”, tha Hoti, shkruan Indeksonline.
Ai poashtu tha se Qeveria e re ka për obligim që t’i jap frymë demokracisë tonë të brendshme, në respektim të rendit dhe ligjit dhe t’i përkushtohet vetëm Kushtetutës dhe Ligjit.
“Do të punojmë bashkë me gjithë partnerët e këtij koalicioni, duke qenë llogaridhënës para gjithë deputetëve, pozitë e opozitës, duke vendosur një diskurs të ri në skenën politike, është një program ambicioz që e kemi dakorduar së bashku në javët e fundit. Unë besoj në këtë program, në këtë ekip të shkëlqyeshme nga partnerët e koalicionit me zv/kryeministra e ministra me ekspertizë secili në fushën e tyre. Do t’i dalim zot këtij shteti. Do të përballemi me sfidat, duke filluar nga pandemia dhe rimëkëmbja ekonomike. Do të miratohet së shpejti programi qeverisës, shumë voluminoz dhe i pasur për rimëkëmbjen ekonomike, për t’u mundësuar bizneseve dhe familjeve që sa më lehtë të kalojnë këtë krizë ekonomike. Prioritet tona janë përveç luftës kundër kësaj pandemie edhe forcimi i shtetit ligjor, fuqizimi i miqësive tona me partnerët ndërkombëtarë. Marrja përsipër e proceseve si dialogu, adresimi i nevojave në arsim, shëndetësi, në arsim në veçanti duke pasur parasysh kushtet që janë krijuar tani për shkak të pandemisë e në veçanti tek shëndetësia për të krijuar kushte afatgjate për të përballuar situatën pandemike”, theksoi Hoti.
Ai gjithashtu shtoi se Qeveria e Kosovës ka një program shumë të pasur në zhvillimin ekonomik.
“Kjo qeveri për herë të parë ka një program që do të merret me nevojat e grupeve të caktuara. Nevojat në veçanti që kanë komunitetet. Uroj punë të mbarë dhe dakordim të të gjithëve, pres që shpejtë t’i merrni detyrat e juaja dhe do të pranoni agjendën për mbledhjen e ardhshme të qeverisë. Na priftë e mbara të gjithëve”, tha ai./Indeksonline/