75 Mall Live Search
15:01 / E Enjte, 04 Qershor 2020 / indeksADMonline

Operatorët e Transportit Rrugor drejt falimentimit: Linja të rregullta autobusësh drejt Shqipërisë e pak udhëtarë

Më 1 Qershor nisi Faza e Tretë e masave lehtësuese ndaj parandalimit të përhapjes së COVID-19, vendim ky i qeverisë së kaluar i udhëhequr nga Albin Kurti.

Me këtë vendim, u rihapën një numër i madh aktivitetesh biznesore, në mesin e tyre edhe kufijtë tokësorë. Por, për shtetasit kosovarë që hyn në Shqipëri dhe anasjelltas u vendosën disa rregulla, për të cilat pati edhe reagime të shumta, madje dhe nga vet presidenti, Hashim Thaçi.

Këto rregulla, po ua vështirësojnë punën edhe Operatorëve të Transportit Rrugor, të cilët po punojnë me humbje, madje sipas Kryetarit të Shoqatës së Transportit në Kosovë, Ruzhdi Kurtishaj, ata janë buzë falimentimit. Sepse, sipas tij të gjitha linjat janë lëshuar, por që numri i udhëtarëve është shumë i vogël.

“Nga data 1 Qershor ka fillu transporti ndërkombëtar në linjën Prishtinë – Tiranë – Durrës dhe nga regjionet tjera, nga Peja dhe nga Gjilani, sigurisht dhe nga Gjakova. Të them të drejtën fillimisht ka qenë një lajm i mirë për të gjithë ne duke falënderuar edhe bashkëpunimin e mediave, kemi qenë dhe kemi punuar në grupe të shumta me të vetmin qëllim që të vihet deri tek hapja e kufijve, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të lëvizin në të dy anët e kufirit, por gëzimi i së dielës në mbrëmje për hapjen e kufijve zgjati shumë shkurt sepse të hënën nga mëngjesi u sqaruan edhe gjëra të tjera, pra me vendim të kryeministrit në detyrë që ishte z/Kurti, ishin të përcaktuara disa rregulla thuajse që janë në pamundësi për t’i zbatuar nga ana e qytetarëve.

Nën 1 kjo kishte të bënte me pengesën të hyrjes në Kosovë, të qytetarëve nga Shqipëria, të cilët nuk do të kenë mundësi të prezantojnë një test COVID19 katër ditë para apo nuk kanë një adresë ku do të qëndrojnë të izoluar në Kosovë.  Problemi tjetër ka të bëj me atë se qytetarët e Kosovës që do të qëndrojnë në Shqipëri, me të ardhur në kufirin e Vermicës, do të duhej të mbushnin një formular ku do të t’i kontrollonte mjeku dhe duhet të shkonin edhe ata në vetëizolim për 7 ditë. Kjo në të vërtetë na ka bërë pengesë të madhe ne si operatorë, por mbi të gjitha i ka dëmtu edhe qytetarët, por edhe bizneset duke na sjellë thuajse në falimentim për shkak të kësaj mase që tashmë ne mbajmë linja të rregullta. Është shumë me rëndësi të cekët se janë duke u mbajt të gjitha linjat, por numri i udhëtarëve është shumë i vogël.

Në ditën e vendosjes së këtyre masave nga ana e qeverisë së shkuar, unë kam quajtur atë “vendim të turpit” sepse me të vërtetë ishte vendim i turpit, ku tashmë nuk ekziston ndalesa për hyrjen e qytetarëve të Serbisë, ndërsa ndalohen qytetarët nga Shqipëria. Unë po shpresoj dhe po pres se brenda një kohe sa më të shkurtër, kryeministri Avdullah Hoti të merr vendimin e duhur me të vetmin qëllim që t’i mundësojë qytetarët e Shqipërisë që të futen në Kosovë, por edhe ata të Kosovës mos të kenë nevojë të bëjnë teste ose të shkojnë në vetëizolim sepse me të vërtetë është një pengesë dhe një paqartësi e madhe për qytetarët dhe sigurisht që këto masa edhe ashtu kështu bizneset janë buzë falimentimit”, thotë Kurtishaj për Indeksonline.

Ai thotë se nëse nuk merren masa nga qeveria e re e udhëhequr nga Avdullah Hoti, atëherë shumë punëtorë të sektorit privat do të mbesin pa punë, madje nuk përjashton as protestat.

“Ne jemi në kontakte të vazhdueshme, jemi në kontakt edhe me ambasadën shqiptare edhe si Odë Ekonomike edhe si operatorë. Për neve është shumë e rëndësishme që këto vendime që janë marrë nga qeveria paraprake, të gjitha një për një të shqyrtohen, sepse qeveria paraprake e ka marrë ndalese të shërbimit të kapacitetit nga qind për qind në 50 % dhe kjo i bie që ne duhet të punojmë me humbje me këto çmime. Në anën tjetër ne si operatorë, nuk jemi të interesuar që t’i ngritim çmimet sepse rëndohet popullata në këtë kohë, ku qeveria që shkoi s’arriti të përmbush as Pakon Emergjente të ndajë at pakon sociale të pagës për sektorin privat prej 170 euro. Shumë të punësuar në sektorin privat akoma nuk arrit që të kenë atë pagën minimale që të mbulojnë as nevojat elementare, është e pakuptimtë pra që të ngritën çmimet.

Andaj po bëj thirrje në emër të shoqatës kryeministrit Hoti, që sektorin e transportit rrugor të udhëtaravë të vë në prioritet sepse humbjet janë të mëdha, njerëzit kanë panik të udhëtojnë, linjat duhet të mbajnë sepse duhet të udhëtojnë, qoftë në transportin ndërurban, qoftë në transportin ndërkombëtarë për shkak të nevojave të tyre të shumta, qoftë të sëmundjeve apo çka do qoftë ajo. Andaj ky sektor është buzë falimentimit, nëse s’merren hapa të shpejtë, korrekt, në bazë të asaj se çfarë kërkohet për të financuar, për të ndihmuar, është shumë e mundshme që shumë operatorë brenda edhe një periudhe shumë të shkurtë që të falimentojnë dhe do të dalin shumë njerëz, do të mbesin të papunë, ky është një problem në vete. Nëse të punësuarit në sektorin privat në një mënyrë apo tjetër i humbin vendet e punës për shkak të pamundësisë së biznesit për të operuar, atëherë ata do të jenë barrë e qeverisë, në këtë rast do të krijohet edhe probleme sociale, ku sigurisht që do të ketë protesta, e ne aspak s’jemi të interesuar që çështja të shkojë deri aty”.

Kurtishaj kërkon që sektori i transportit rrugor dhe të gjitha bizneset të ndihmohen, të subvencionohen, siç kanë vepruar qeveritë e vendeve të rajonit dhe të botës, në mënyrë që ta shpëtojnë sektorin privat, i cili ky sektor mbanë mbi supet e veta një numër të madh të punësuarish.

“Kërkoj nga qeveria që të shqyrtoj të gjitha vendimet që kanë qenë të dëmshme për sektorin privat, në këtë rast për sektorin e transportit rrugor që 50% të shpenzimit të kapaciteteve të autobusit, të shfuqizohet ai vendim menjëherë sepse një taktikë e tillë s’po ndiqet në asnjë vend të Evropës. Kam komunikuar dje me Zvicër, Gjermani dhe absolut s’ka të bëj kjo pjesë me 50% të shfrytëzimit të kapacitetit të autobusit.

Nuk e di kah i kanë shpik këto gjëra, por nëse brenda qendrave të mëdha tregtare hyjnë mijëra njerëz, atëherë pse në autobus të bëhet klasifikim dhe pse të dëmtohen bizneset. Qeveria, përkatësisht Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit duhet të lejojë që pa pengesë rendet e udhëtimit për operatorët e transportit rrugor të udhëtarëve”./IndeksOnline