75 Mall Live Search
13:47 / E Diele, 07 Qershor 2020 / indeksADMonline

Reçica: Mund të karantinohen qytetet, por jo komunikimi dhe bashkëpunimi Prishtinë-Tiranë

Ministri i MPMS-së Skender Reçica në mbledhjen e katërt të qeverisë së Kosovës, u tregua kritik ndaj nivelit të ulët të bashkëpunimit me Tiranën gjatë kohës së pandemisë Covid-19.

Fjalimi i Reçicës në mbledhjen e qeverisë:

Lajm i mirë marrja e vendimit për rihapjen e kufirit me Shqipërinë për të gjithë qytetarët andejë e këndej kufirit.

Komunikimi mes Prishtinës dhe Tiranës ka lënë shumë për të dëshiruar gjatë periudhës së ballafaqimit me pandeminë dhe për këtë jemi të gjithë koshientë.

Në vend se të ishim një, në luftimin e kësaj pandemie, përkundër saj,  u vështirësua tej mase komunikimi, madje edhe ai zyrtar se lere me ai vëllazëror.

Ne, si qeveri duhet shpejt dhe pa hezitim të rrisim intensitetin e bashkëpunimit, ashtu siç kishte filluar vite më parë.

Bashkëpunimi i këtyre muajve të fundit është për çdo kritikë, është diçka që nuk guxon të përsëritet as edhe një herë të vetme e në as edhe një rrethanë të mundshme.

Tirana për Prishtinën është si Prizreni dhe Gjilani, sikur që Prishtina për Tiranën është si Vlora dhe Shkodra.

Andaj, ne duhet të jemi të kujdesshëm kur trajtojmë këto marrëdhënie, por edhe më shumë kur mund të cënojmë ato.

Mund të karantinohet Ferizaj, Peja, Vlora, Korça, Podujeva e Kukësi, por të mbyllet Prishtina nga Tirana dhe anasjelltas kjo nuk don koment dhe asesi nuk bën të përsëritet.

Kujdes po, disciplinë po por jo izolim e moskomunikim mes nesh aq më tepër kur nuk ka nevojë.

Andaj, më e pakta që sot mund të bëjmë ne, është ta mbështesim këtë vendim, i cili pa marrë parasysh rrethanat me të cilat ballafaqohemi, duhet të jemi të hapur dhe të bashkuar me njëri-tjetrin.