Qalaj: Policia bashkë me inspektorët do t’i shtojë kontrollet, sidomos në lokale!

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka qenë i pranishëm në konferencën e thirrur sonte nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Në fjalën e tij, Qalaj ftoi qytetarët në emër të Policisë së Kosovës që të respektojnë masat e ndërmarra nga Instituti Kombëtarë Shëndetësorë Publik i Kosovës, që koronavirusi të largohet dhe të qohet drejt fundit sa më shpejtë.
“Është e vërtetë se numri i qytetarëve që dalin ditëve të fundit është në rritje dhe i pakontrolluar, qoftë në kafiteri, restorante apo vende të tjera, por duhet që secili nga ne të bëjë një kontribut shtesë që të shtohet kujdesi dhe besoj që bashkërisht do të arrijmë që të mposhtim influencën apo ndikimin e këtij virusi”, tha Qalaj, shkruan Indeksonline.
I pari i Policisë së Kosovës deklaroi poashtu se beson që populli i Kosovës ka dhënë shembull të shkëlqyer se si duhet respektuar masat e ndërmarra dhe beson që prapë populli i Kosovës do të jetë i kujdesshëm dhe do të respektohen institucionet dhe do të ndihmohen për respektimin e këtyre masave.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim me Inspektoratet do t’i shtojë kontrollet e sidomos në lokale, që të ndikojmë sa më shumë që ky virus të shkojë drejtë fundit e që shumë shpejtë në Kosovës të mos jetë fare prezent ky virus. Por kjo do të arrihet vetëm në bashkëpunim me qytetarët, të cilët jam i bindur se do të ndihmojnë institucionet dhe vetveten”, deklaroi Qalaj.
Ai ritheksoi se beson që prej sonte të gjithë do të jetë më të kujdesshëm, sidomos në lokale e vende të mbyllura./Indeksonline/