75 Mall Live Search
12:40 / E Hënë, 08 Qershor 2020 / indeksADMonline

FHK: Thirrje për hendbollistët në diasporë, eja luani për Kosovën

Federata e Hendbollit e Kosovës përmes një komunikate ka kërkuar nga hendbollistët që luajnë në diasporë, që të vijnë edhe të luajnë për Kombëtaren e Kosovës.

“U bëjmë thirrje të gjithë hendbollistëve të rijnë që ushtrojnë e luajnë në nivel serioz në vende evropiane që të kontaktojnë FHK-në për të qenë në dispozicion për përzgjedhje eventuale në ekipet kombëtare të grupmoshave të reja”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e FHK-së, transmeton Indeksonline.

Federata ka publikuar emailin në rast se hendbollistët e diasporës duan t’i kontaktojnë ata. Po ashtu kanë lënë të hapur mundësinë që të kontaktojnë edhe në rrjetet sociale.

Më poshtë keni komunikatën e plotë të FHK-së:

Federata e Hendbollit e Kosovës mbetet e përkushtuar për ngritje të nivelit të gjithmbarshëm.

Prej prioriteteve të FHK-së është organizimi sa më i mirë dhe ngritja e vazhdueshme e cilësisë në ekipet kombëtare të grupmoshave të reja. Ekipet kombëtare të grupmoshave të reja janë bazë për kombëtaren A sa i takon të ardhshmes së afërt.

Si te meshkujt ashtu edhe te femrat në kombëtaren A kanë avancuar shumë e shumë hendbollistë e hendbolliste që më parë kanë luajtur për grupmosha. Ne jemi të vendosur që këtë trend ta avancojmë.

Hendbollistët dhe hendbollistet e klubeve të vendit mbesin bazë e fuqishme për ekipet kombëtare, por ne shumë llogarisim edhe në hendbollistë dhe hendbolliste të reja që hendbollin e mësojnë dhe e luajnë në vende të ndryshme evropiane.

Kombinimi i lojtarëve që hendbollin e mësojnë dhe e luajnë në Kosovë dhe i atyre që e mësojnë dhe e luajnë në Evropë po del të jetë shumë i suksesshëm. Derisa për hendbollistët në vend kemi më shumë informata dhe mund të përcjellen vazhdimisht, kjo është më pak e mundshme për hendbollistët në vendet evropiane.

Për këtë ne u bëjmë thirrje të gjithë hendbollistëve të rinjë që ushtrojnë e luajnë në nivel serioz në vende evropiane që të kontaktojnë FHK-në për të qenë në dispozicion për përzgjedhje eventuale në ekipet kombëtare të grupmoshave të reja. I ftojmë edhe prindërit e lojtarëve që të përfshihen në këtë proces. Ne kemi nevojë për lojtarë cilësorë dhe të talentuar, ndërsa lojtarët e rinj dhe prindërit e tyre e kanë mundësinë që të japin kontribut në aspektin sportiv për vendin e tyre e po ashtu që të bëjnë hap të rëndësishëm në karrierë duke luajtur në një kombëtare që po ngritet vazhdimisht.

Natyrisht, përzgjedhjen në fund e bëjnë selektorët dhe shtabet teknike, por ftesa është e hapur për t’u vënën në dispozicion të Kosovës. Kjo mund të bëhet përmes emailit: office@kosovahandball.info, apo përmes faqeve zyrtare të FHK-së në rrjetet sociale.

Të kujtojmë që ekipet kombëtare U18 e U20 në janar të vitit 2021 kanë kampionatet evropiane e më pas verën e ardhshme edhe kombëtaret e reja të hendbollisteve. FHK-ja dhe ekipet kombëtare të saj i mirëpresin të gjithë.

http://kosovahandball.info/sq/News/Thirrje-p%C3%ABr-hendbollist%C3%ABt-n%C3%AB-diaspor%C3%AB?fbclid=IwAR2iMR5I9g6_VwgvcJxAVpE5FQmkLQ9tYjGOYj3S63YcliQJEolaXV_SSBY