75 Mall Live Search
11:53 / E Enjte, 11 Qershor 2020 / indeksADMonline

Rekaliu-Qeverisë: Projektin për zgjerimin e magjistrales Prishtinë-Podujevë, ta trajtojë me prioritet

Deputeti nga radhët e LDK-së Fidan Rekaliu, në deklarimet jashtë rendit të ditës, ka folur për një temë mjaft shqetësuese për qytetarët e Podujevës, e që ka të bëjë me zvarritjen disavjeçare të rrugës Prishtinë-Podujevë. Ai ka thënë se ky projekt, i cili filloi në pjesën e dytë të vitit 2016 kur me vendin udhëhiqte Isa Mustafa.

 “Por, me kalimin e muajve dhe viteve, konkretisht ndërrimit të pushteteve të ndryshme, ky projekt u neglizhua, u zvarrit dhe nganjëherë̈ edhe u tentua që të anashkalohet plotësisht, nga mungesa e vullnetit politik, qoftë për përkrahje financiare, poashtu edhe për mbikëqyrje”, tha  Rekaliu para deputetëve.

Sot, pothuajse 4 vjet pas, ky projekt ende është në fazën fillestare, ka thënë Rekaliu.

Sipas tij realizimi i këtij projekti, do të lehtësonte qarkullimin e bashkatdhetarëve dhe do të ishte një lehtësim për bizneset.

Mbi të gjitha, magjistralja Podujevë-Prishtinë, shfrytëzohet nga shumica e bashkatdhetarëve tanë, të cilët vijnë nga vendet e ndryshme të Evropës, duke e përdorur pikën kufitare në Merdar, për hyrje në territorin e Republikës së Kosovës.

Rekaliu ka pasur dhe një kërkesë nga Qeveria e re.

“Nga ky Kuvend dhe kjo Qeveri në krye me kryeministrin Hoti dhe ministrin Abrashi, kërkoj që projektin për zgjerimin e magjistrales Prishtinë-Podujevë, ta trajtojnë me prioritet dhe t’i japin mbështetjen e duhur institucionale, e cila fatkeqësisht viteve të fundit i ka munguar, për arsye krejtësisht politike.

Qytetarët llapjanë, bashkëatdhetarët tanë dhe bizneset tona, e meritojnë realizimin e plotë dhe sa më të shpejtë të këtij projekti”, theksoi Rekaliu.