Caktohet data e zgjedhjeve në Maqedoninë Veriore

Partitë politike në Maqedoninë Veriore kanë arritur marrëveshje për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare më 15 korrik.
Këtë e konfirmoi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev i cili deklaroi se kushtet e VMRO-DPMNE-së janë pranuar dhe se nuk ka lëvizje nga kjo datë.
“15 korrikun e vulosim si datë përfundimtare për në të cilën me garanci do të merr pjesë edhe VMRO-DPMNE-ja. Sot fola përsëri me Mickoskin dhe më tha se pranon zgjedhje më 15 korrik”, tha Zaev.
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski konfirmoi se subjekti i tij do të merr pjesë në zgjedhjet e 15 korrikut.
“Dy kushtet që i kërkuam janë pranuar, e para protokolli për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe e dyta misioni i OSBE-ODIHR-së ta mbrojë vullnetin e qytetarëve”, u shpreh ai.
Edhe për BDI-në e Ali Ahmetit 15 korriku është datë e pranueshme.
“Ftojmë të gjitha institucionet e vendit të përgatisin të gjitha protokollet për mbrojtje maksimale të shëndetit të qytetarëve gjatë fushatës dhe ditës së zgjedhjeve”, njoftojnë nga BDI.
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa këmbëngul në datë me konsensus dhe proces legjitim.
“Kemi vlerësuar se përveç 12 prillit është e pranueshme çdo datë tjetër që do të sillet me konsensus të plotë nga të gjitha forcat politike në vend”, thonë nga ASH-AAA.
Kryetari i Kuvendit ka njoftuar se dekretin për zgjedhje do ta ndryshojë pasi partitë politike të arrijnë konsensus për datën e zgjedhjeve. Për nisjen e procedurave zgjedhore, KSHZ-ja pret datën zyrtare nga Kuvendi./AlsatM