A ironizoi presidenti? Do të jem me dhe pranë kryeministrit Hoti në Uashington

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka dhënë një përgjigje interesante kur është pyetur për deklaratat e kryeministrit Avdullah Hoti, se ai do ta udhëheq ekipin e dialogut.
Ai ka thënë se do të ndjehet mire që që do të jetë me dhe pranë kryeministrit Hoti në Uashington.
“Kosova do të përfaqësohet në një bazë sa më të gjerë, sa më gjithëpërfshirëse politike dhe natyrisht institucionale. Vlerësoj lart qëndrimin edhe të zotit Veseli nga opozita, që ka qenë shumë i qartë për takimin në Uashington, ku Kosova duhet të përfaqësohet në mënyrë të dinjitetshme dhe në të njëjtën kohë të jetë prezente dhe të jetë e përgjegjshme në veprimet e veta. Do të thotë për takimin e Uashingtonit është një mbështetje më e gjerë se sa në kuptimin e ngushtë qeveritar. Prandaj, edhe për të shuar vëmendjen dhe kureshtjen tuaj. Unë do të ndihem mirë që të jem me dhe pranë kryeministrit Hoti”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai ka shtuar se në konferenca ndërkombëtare duhet të shkojmë si shtet me përgjegjësitë kushtetuese e ligjore dhe me hierarkinë institucionale. “Natyrisht që në fund marrëveshja do të votohet në Parlament të Kosovës. Nuk mund të shkojnë 2 milionë njerëz në një konferencë ndërkombëtare përballë dy zyrtarëve të Serbisë”, ka thënë ai.